Kryeshefi i ndërmarrjes publike KOSTT, Kadri Kadriu, ka folur në lidhje me realizimin e reduktimeve të energjisë energjetike të cilat nisën që nga dita e djeshme, raporton InLajmi.
Kadriu ka thënë se KOSTT i ka dërguar KEDS-it një program i cili sipas tij ka filluar dje rreth orës 10 duke thënë se pasi që ishte dita e parë, mënyra e realizimit nuk ka qenë e thjeshtë, pasi pragrami ka qenë për krejt Kosovën.
“Në lidhje me realizimin e shkyçjeve, ne kemi dërguar tek KEDS-i një program i cili ka filluar dje diku rreth orës 10 dhe meqë ka qenë dita e parë, mënyra e realizimit nuk ka qenë e thjeshtë sepse ai program ka qenë i shpërndarë në krejt Kosovën dhe në orën 11 ka filluar reduktimi”, është shprehur Kadriu.
Ai tutje ka thënë se plani ka qenë 8 orë me rrymë dhe 2 orë pa rrymë, e si rrjedhojë e kësaj janë reduktuar 150 MW, e që sipas tij nëse ka nevoja për reduktime rritet atëherë ky plan nuk do të mjaftoj.
“Plani ka qenë 8 me 2, që do të thotë se ne kemi reduktuar 150 MW, pra në qoftë se nevoja për reduktime rritet, ky plan 8 me 2 nuk do të mjaftojë, por ne shpresojmë që nuk do të shkojmë deri në atë masë dhe natyrisht se mund të jetë edhe më i shkurtër programi”, është shprehur Kadriu.
Kurse, në lidhje më mungesën e energjisë elektrike në disa pjesë të vendit me më shumë se 2 orë, ai ka thënë se realizimin i këtij programi e bën KEDS-i, e jo KOSTT pasi që nuk kanë qasje tek konsumatorët.
“Realizimin e programit e bën KEDS-i, ne nuk e bëjmë, sepse s’kemi qasje tek konsumatorët, dhe mënyrën se si e kanë shpërndarë ata tek konsumatorët ata sigurisht është dashur ta ndjekin programin tonë. Por, ndoshta ka pasur ndalje më të shpeshta që ajo mund të jetë e lidhur edhe me prishje teknike”ka thënë ai. /InLajmi/