Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, gjatë fushatës në zgjedhjet e 6 tetorit pati premtuar se do ua lehtësonte jetën çifteve të reja duke ua mundësuar blerjen e banesës me këste brenda 10 vitesh.
Ai premtoi se do t’i ndërtoj 4.000 banesa në Prishtinë dhe përreth saj, ku çiftet e reja mund të paguanin nga 150 euro në muaj.
Por siç duket çiftet e reja do të presin kogja për të hyrë në këto banesa.
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, në një përgjigje për IndeksOnline tha se Qeveria në bashkëpunim me Korporatën Financiare Ndërkombëtare është duke analizuar opsionet më të favorshme për zhvillimin e projektit.
Kryeziu tha se pas studimit të fizibilitet do të vendosin për opsionet e strukturave që duhet ndjekur për zbatimin e projektit të banimit.
“Qeveria e Republikës së Kosovës e ka prioritet projektin e banimit të përballueshëm, kësi soji në bashkëpunim me Korporatën Financiare Ndërkombëtare (IFC), në kuadër të Bankës Botërore, është duke analizuar opsionet më të favorshme për zhvillimin e mëtutjeshëm të projektit, dhe si hap të parë kemi ndërmarrë hulumtimin e tregut dhe studimin e fizibilitetit për projektin.
Qeveria dhe IFC do të bashkëpunojnë në zbatimin e programit, objektivat e të cilit përfshijnë:
-një vlerësim të tregut të banesave, duke përfshirë një përkufizim të tregut të synuar, pikat e çmimeve, dhe analizën në detaje të ofertës dhe kërkesës për banim të përballueshëm dhe opsionet e mundshme;
-studimi i fizibilitetit të Projektit, i cili planifikon të ndërtojë 4000 banesa, brenda dhe përreth Prishtinës, do të përfshijë një analizë për opsionet e strukturimit të banimit të përballueshëm dhe zbatimin e projektit;
-rishikimin ligjior dhe rregullator të sektorit të banimit të përballueshëm;
Rezultati i studimit të fizibilitetit do të na informojë për opsionet e duhura të strukturimit për t’u ndjekur, përshtatjet rregullatore e ligjore, si dhe politikat e nevojshme adekuate që duhet ndjekur për të mundësuar suksesin dhe zbatimin e projektit të banimit të përballueshëm”, tha ai.