Kosova ende nuk i ka marrë përgjigjet, gjegjësisht rezultatet nga mostrat që janë dërguar në Gjermani të dërguara në fillim të muajit dhjetor, për të parë nëse ato janë pozitive për variantin e ri të koronavirusit, Omicron, shkruan InLajmi.
Kështu ka njoftuar zëdhënësja e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), për Gazetën InLajmi.
“Deri më sot 20.12.2021 ende nuk kemi pranuar rezultatet nga mostrat e fundit të dërguara për sekuencionim në Gjermani përmes programit të përkrahur nga ECDC (European Center for Disease Control)”,ka njoftuar Pireva.
Tutje, njoftoi ajo se IKSHPK-ja do të dërgoj edhe sot mostra të tjera, pra të mbledhura gjatë 2 javëve.
“Mostra pozitive të SARS-CoV-2 të mbledhura gjatë 2 javëve të fundit në IKSHPK planifikohen të dërgohen sot (20.12.2021) përmes të njëjtit program”,tha tutje Pireva.
E IKSHPK-ja edhe në të kaluarën ka dërguar në Gjermani mostra për të identifikuar praninë e variantit Delta dhe Delta Plus, pasi Kosova nuk ka kapacitete për ta bërë një gjë të tillë.
Ndërkohë, për dallim nga vendet e rajonit, aktualisht, gjendja epidemiologjike në Kosovë vlerësohet e qetë./InLajmi/