Kryeministri Kurti i është kundërpërgjigjur deputetes nga radhët e PDK-së, Eliza Hoxha, duke i thënë se Kosova duhet të ketë sindikata të fuqishme në sektorin privat, por nuk i ka, por duhet të punojmë për këtë, raporton InLajmi.
Kurti theksoi se na nevojitet një dinamizëm sindikal në Kosovë, i cili nuk është jopolitik por është jopartiak, dhe gjendjen që e kemi sot në sindikata, është në masë të madhe edhe pasojë e këtyre 20 viteve në ekonominë dhe shoqërinë e Kosovës.
“Sigurisht që arsimi e shëndetësia nuk janë sindikatat e vetme, sektori publik është më i madh se kaq, por këto janë praktikisht kryesoret. Ne do duhej të kishim sindikata të fuqishme në sektorin privat, mirëpo ja që nuk i kemi dhe për këtë do të punojmë. Meqë Ligji i punës ua mbron të drejtat punëtorëve individualisht, por sindikatat i mbrojnë ata kolektivisht, e e para pa të 2-tën është shumë e mangët. Ajo që po theksoj unë është se na nevojitet një dinamizëm sindikal në Kosovë, i cili nuk është jopolitik por është jopartiak, dhe gjendjen që e kemi sot në sindikata, është në masë të madhe edhe pasojë e këtyre 20 viteve në ekonominë dhe shoqërinë e Kosovës, të dominuar nga privatizimi i egër dhe abuziv. Ka pasur të tillë të cilët e kanë rezistuar këtë privatizim”, ka deklaruar Kurti.
Më pas Kurti tha se për ta forcuar shtetin e Kosovës, realisht na duhet një lloj deprivatizimi i publikes, e për këtë na nevojiten qasje të reja edhe sindikaliste
“Pra unë po them që për të hyrë në një fazë të re të zhvillimit, nuk do të mundemi as me mënyrat, as me mendësinë e vjetër. Dhe kur po them privatizim, nuk po mendoj vetëm atë që e kanë bërë AKM-ja e AKP-ja, por po them prej privatizimit të posteve, nepotizmit, trajtimit privat përbrenda sektorit publik e në raport me publikun të strukturave publike, të gjitha këto janë pjesë e privatizimit. Për ta forcuar shtetin e Kosovës, realisht na duhet një lloj deprivatizimi i publikes, e për këtë na nevojiten qasje të reja edhe sindikaliste, e unë për këtë jam i gatshëm të ndihmoj, por kjo është përtej mjerimit social që gjenden njerëzit tanë”, ka deklaruar Kurti./InLajmi/
















