Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) deri më tani ka pranuar 332 pako me fletëvotime nga diaspora për Komunën e Dragashit, shkruan InLajmi.
Për Gazetën InLajmi, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka treguar se është duke vazhduar periudha për përsëritjen e votimit nga jashtë Kosovës për raundin e 2 të Zgjedhjeve për Kryetar të Komunës së Dragashit, e cila ka filluar më 29 nëntor.
“Deri më tani, KQZ ka pranuar 332 pako të supozuara me fletëvotime. Duke u mbështetur në ligj, KQZ do të pranojë fletëvotime më së largu deri më 13 dhjetor. Të drejtën për të votuar përmes postës e kanë vetëm 1.090 votuesit jashtë Kosovës të komunës së Dragashit, të cilët janë regjistruar si votues jashtë Kosovës gjatë periudhës 10 korrik – 18 gusht 2021”,ka deklaruar Elezi. /InLajmi/