Drejtoria kundër trafikimit me njerëz e Policisë së Kosovës, ka njoftuar se ka zhvilluar një operacion të gjerë në nivel vendi, përcjell InLajmi.
Kështu ka njoftuar Policia e Kosovës me një njoftim.
Tutje, sipas njoftimit të tyre janë kontrolluar 43 lokale, 8 prej tyre janë mbyllur nga inspektorët kompetentë.
“Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria për hetimin e trafikimit me qenie njerëzore (DHTQNJ) ka intensifikuar aktivitetet e saj në terren me qëllim të marrjes së masave parandaluese dhe në identifikimin e hershëm dhe mbrojtjen e viktimave të mundshme të trafikimit me njerëz.
Kjo drejtori dhe njësitet tjera të specializuara ato për reagim të shpejtë dhe Drejtoria për migrim dhe të huaj, në bashkëpunim dhe mbështetje të inspektorëve të punës, atyre të ATK-së dhe inspektorëve komunal, si dhe njësive tjera të profilizuara, stacioneve policore në kuadër të Policisë së Kosovës kanë zbatuar Planin Operativ të koduar me emrin “Dhjetori 2021” i cili plan është realizuar njëkohësisht në disa rajone të Republikës së Kosovës”, ka njoftuar Policia.
Ndryshe, Policia e Kosovës ka njoftuar se mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe autorizimeve ligjore në mënyrë profesionale, luftimin e dukurive negative dhe veprave penale të të gjitha llojeve, në mënyrë që të mundësohet një ambient i qetë dhe i sigurt për të gjithë./InLajmi/