Kryetari i Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, Bekë Berisha në një konferencën për medie tha se ushtria asnjëherë nuk është përfshirë e as që ka dashur të jetë pjesë e aksioneve policore, raporton InLajmi.
Pas raportimit të ministrit Armend Mehaj, ai shtoi se lajmet që ushtria është përfshirë në operacion policor janë “rrena”.
“Kemi të bëjmë me ushtrinë e Kosovës dhe ne si deputetë, ju si gazetarë, e kemi ndjenjë ushtrinë e Kosovës”. Duhet të kemi kujdes me prodhimin e këtyre lloj rrenave dhe manipulimeve se kinse Kosova ose ushtria e Kosovës ka dashur të përfshihet në një operacion policor. Ne aspirojmë NATO-n dhe e kemi Policinë e Kosovës që mund t’i menaxhojë këto situata. Krejt këto janë trillime të panevojshme”, tha Berisha.
Tutje, Berisha shtoi se ministri u ka sqaruar se nota diplomatike e SHBA-së vjen para çdo ndihme ushtarake, që mos t’iu lejohen palëve të 3 të kenë qasje në pajisjet ushtarake.
Ndryshe, së fundmi mediet raportuan për një notë diplomatike të SHBA-së për veturat ushtarake që ishin donacion amerikan, e për të cilat sipas raportimeve kjo e fundit i kishte çuar vërejtje serioze ministrit Mehaj që të mos i përdorë për nevoja tjera.
Madje sipas raportimeve, ministri i Mbrojtjes planifikonte që këto vetura t’i ngjyroste dhe t’ua jepte për përdorim Njësive Speciale në veri.Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) i kishte pranuar në gusht të këtij viti 55 automjete ushtarake të dhuruara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës./InLajmi/