Në Dhomat e Specializuara në Hagë nesër do të hapet çështja nga ana e mbrojtjes në gjykimin ndaj ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së.
Vendimi është marrë sot nga trupi gjykues, i cili ka bërë të ditur se nesër do të bëhet deklarata hapëse e mbrojtjes së Hysni Gucatit, ndërsa paraqitja e provave dhe dëshmitarëve do të fillojë të hënën më 6 dhjetor.
Në konferencën e sotme përgatitore për mbrojtjen, trupi gjykues ka refuzuar dëgjimin e tre dëshmitarëve të mbrojtjes, një ka pranuar ta dëgjojë pjesërisht, ndërsa ka aprovuar dëshmitarët e tjerë që ishin në listë të dëshmitarëve të mbrojtjes.
Kryetari i trupit gjykues në rastin ndaj Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt, Charles L. Smith III ka pranuar kërkesën e avokatëve që të fillohet me çështjen e mbrojtjes së Gucatit dhe pas përfundimit të saj të vazhdohet me atë të Haradinajt, meqë ky i fundit po përballet me simptoma të COVID-19.
Gjykatësi gjithashtu bërë të ditur vendimet që lidhen me pranimin ose jo të dëshmitarëve të paraqitur nga ana e mbrojtjes, për të cilat vendimi me shkrim do të publikohet nesër.
Paraprakisht, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte paraqitur mocione për të hequr dëshmitarë nga lista e dëshmitarëve të mbrojtjes.
“Lidhur me kërkesën e parë të prokurorisë që është F312 trupi gjykues do të adresojë vetëm dëshmitarët që propozohet të thirren nga mbrojtja, lidhur me dëshmitarin e mbrojtjes së Gucatit 1221 dhe 1222, ne mendojmë se disa aspekte të tyre janë me natyrë të diskutueshme, por jo të tilla që të mos lejohen, sikurse ka disa aspekte të dëshmisë së tyre që lidhen qartësisht me çështjen. Prandaj, trupi gjykues lejon thirrjen e tyre, por e kërkon mbrojtjen e zotëri Gucatit që të sigurohet se dëshmia që do të merret prej tyre të jepet rreptësishtë në këto procedura”, ka bërë të ditur kryetari i trupit gjykues.
Ndërsa lidhur me 2 dëshmitarë të tjerë, trupi gjykues ka vlerësuar se mbrojtja nuk ka demonstruar rëndësinë e dëshmisë së tyre.
“Lidhur me dëshmitarin e zotëri Haradinajt 1246, trupi gjykues është i kënaqur se ajo që propozohet lidhet me pretendimin e shtyrjes për vepra penale prandaj e lejojmë të thirret për atë çështje pa cenuar çështjen e disponueshëmrisë së veprës së nxitjes së veprës penale sipas regjimit të zbatueshëm ligjor. Lidhur me dëshmitarin 1250 dhe 1251, trupi gjykues konstaton se mbrojtja nuk ka demonstruar rëndësinë e dëshmisë së tyre të propozuar prandaj refuzon thirrjen e tyre dhe nuk do të lejojë mbrojtjen e Haradinajt që t’i thërrasë”, ka thënë Smith.
Prokuroria ka kundërshtuar edhe dëshmitarin 1252 të mbrojtjes së Haradinajt, i cili është dëshmitar ekspert, por trupi gjykues ka vendosur ta dëgjojë vetëm një pjesë të dëshmisë së tij.
Kryetari i trupit gjykues ka bërë të ditur refuzimin e dëgjimit të dëshmitarit të 2-të në cilësinë e ekspertit me kodin 1253 dhe gjithashtu refuzuar të dëgjojë dëshmitarin 1248.
“Lidhur me dëshmitarin e mbrojtjes së Gucatit 1243, 1244 dhe 1245, 1247 dhe dëshmitarin e mbrojtjes së Haradinajt 1254, trupi gjykues është i mendimit se disa pjesë të dëshmisë së tyre janë opinione, por ne mendomë se duhet të marrë apo duhet ofruar si provë kjo dëshmi, nëse ndodh kjo prokuroria mund të kundërshtojë marrjen e dëshmisë, pranimin e deklaratës apo pjesëve të saj si provë materiale. Trupi gjykues konstaton se është e parakohshme të jep vendim për pranueshmërinë e tyre në këtë fazë”, ka thënë kryetari i trupit gjykues.




















