Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka marrë pjesë në lansimin e Platformës Online nga Instituti i Kosovës për Drejtësi për ndihmë juridike falas, përcjell InLajmi.
Haxhiu ka përkrahur Platformën Online duke thënë se këto platforma synojnë lehtësimin e qasjes në drejtësi për gratë viktima të dhunës në familje apo dhunës në baza gjinore. Ajo i cilëson si mënyra efikase e adresimit të nevojës për ndihmë juridike dhe si mundësi e qasjes së shpejtë.
”Ministria e Drejtësisë e mirëpret këtë iniciativë të IKD-së të mbështetur nga Zyra e BE-së dhe UN Women në Kosovë dhe konfirmojmë partneritetin tonë strategjik në këtë rrugëtim të përbashkët për të adresuar nevojën për kërkim dhe gjetje të drejtësisë për gratë viktima të dhunës dhe njëherit mbrojtje efikase të të drejtave të tyre nga institucionet tona përgjegjëse”, tha ajo.
Postimi i plotë i saj:
Sot, me ftesë të IKD, isha e pranishme në lansimin e Platformës Online për ndihmë juridike falas që synon lehtësimin e qasjes në drejtësi për gratë viktima të dhunës në familje apo dhunës në baza gjinore.
Platformat online konsiderohen gjerësisht si një mënyrë efikase e adresimit të nevojës për ndihmë juridike të viktimave të dhunës në familje dhe dhunës në baza gjinore, në tërësinë e proceseve kur përfshihen një varg institucionesh dhe ku mundësia e qasjes është më e shpejtë, më e lehtë, më efikase dhe shpesh më pak e kushtueshme për viktimat.
Përtej lehtësimit të qasjes në drejtësi, vetë ideja e qasjes efektive në ndihmë juridike i kontribuon edhe parandalimit dhe luftimit të dhunës në familje dhe dhunës në baza gjinore, përmes adresimit të rasteve në faza sa më të hershme dhe mundsisht me sa më pak pasoja për viktimat e kësaj dhune.
Ministria e Drejtësisë e mirëpret këtë iniciativë të IKD-së të mbështetur nga Zyra e BE-së dhe UN Women në Kosovë dhe konfirmojmë partneritetin tonë strategjik në këtë rrugëtim të përbashkët për të adresuar nevojën për kërkim dhe gjetje të drejtësisë për gratë viktima të dhunës dhe njëherit mbrojtje efikase të të drejtave të tyre nga institucionet tona përgjegjëse./InLajmi/

















