Komiteti për koordinim dhe vlerësim shqyrtoi dje situatën me Covid-19, me ç’rast u tha se gjatë javës së ardhshme do të rishqyrtohen masat në fuqi dhe do të merren masa të reja sipas nevojës dhe zhvillimeve lidhur me Covid-19.
Mirëpo, masat e reja po kundërshtohen nga Asociacioni i Komunave të Kosovës.
Kryetari i këtij Asociacioni, Sazan Ibrahimi ka thënë për Express se situata me Covid-19 është shumë e qetë, andaj edhe Ministria e Shëndetësisë nuk duhet të shtrëngoj masat, por duhet të gjej forma tjera për t’i stimuluar qytetarët që të vaksinohen.
Ai është shprehur se shpreson që ministri i ri do të sjellë përvoja nga SHBA-ja rreth formave për t’i obliguar qytetarët që të vaksinohen.
“Shpresojmë që ministri i ri do të sjellë përvoja nga SHBA rreth formave për t’i obliguar qytetarët të vaksinohen sepse masa e orës policore është më e tejkaluar. Situata është shumë e qetë dhe MSH duhet të gjejë forma, pasi që po thonë që kanë grupe të ekspertëve, për t’i stimuluar qytetarët për vaksinim e jo shtrëngim të mundshëm të panevojshëm të masave ndaj qytetarëve të cilët në masë të madhe iu kanë përgjigjur pozitivisht vaksinimit”, ka thënë ai.
Ibrahimi ka deklaruar se Ministria e Shëndetësisë duhet të angazhohet maksimalisht në vaksinimin e popullsisë, për shkak që sipas tij, arma e vetme kundër këtij virusi është vaksina e jo ora policore.
“Besojmë që më në fund do kemi ndonjë takim me MSH-në dhe pyetja e parë që mund t’i shtrohet ministrit të MSH-së do të ishte se a po e shton intensitetin virusi gjatë orës policore apo pse duhet të kemi një kufizim të tillë. Pra, MSH duhet maksimalishtë të angazhohet në vaksinim të popullatës sepse kjo është vërtetuar edhe në mënyrë shkencore se është arma e vetme kundër virusit e jo ora policore”, ka shtuar ai.