Në kuadër të aktiviteteve të Javës së Flamurit dhe në nderim dhe kujtim të figurës më emblematike të popullit shqiptar, Familjes Jashari, sot më 28 Nëntor, në 109-vjetorin e Ditës së Flamurit, në 24-vjetorin e daljes publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Llaushë dhe në ditëlindjen e 66-të të Komandantit Legjendar, Adem Jashari, në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës u promovua “Libri i Kujtesës: FAMILJA JASHARI – në dritën e betejës për liri”, përcjell InLajmi.
Libri i cili u promovua sot përfshin artikuj të gazetave dhe revistave të Kosovës të Dhjetorit të vitit 1991 deri në Mars të 1998-ës, gazeta të cilat i posedon Biblioteka Kombëtare e Kosovës. Libri është ndër botimet më të veçanta të BKK-së, si dhe është libër i një rëndësie tejet të madhe për popullin e Kosovës. Një libër kujtese dhe krenarie për ne, për të gjithë.
Në promovimin e librit morën pjesë Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, Bekim Jashari nga familja Jashari, deputetja Saranda Bogujevci, nënkryetare e Kuvendit të Kosovës, drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Fazli Gajraku, profesori universitar Haqif Mulliqi, publicisti Halil Matoshi, dhe shumë personalitete të tjera.
Ministri Çeku në fjalën e tij në promovimin e librit, foli për rëndësinë e 28 Nëntorit si një ditë krenarie për shqiptarët, si një ditë e veçantë ku duhet të kujtohet trashëgimia jonë historike e kombëtare si dhe të kujtohen ata që me jetën dhe veprat e tyre pasuruan historinë e kombit shqiptar, të cilët me vuajtjet, sakrificat dhe jetën e tyre bënë të mundur këtë festim.
“Jam mëse i lumtur që sot, në Javën e Flamurit, jemi mbledhur këtu, për të promovuar një botim shumë të vlefshëm e të veçantë të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, botim ky i dedikuar kujtimit të Familjes Jashari: Në dritën e betejës për liri”, tha ministri.
Ministri po ashtu foli edhe për Familjen Jashari e cila me kurajon dhe guximin e tyre të papërkulshëm, sakrifikuan jetën e tyre për lirinë tonë.
“Ne jemi përherë krenarë dhe mirënjohës për sakrificën e Jasharajve. Mirënjohjen dhe kujtimin për veprën madhështore të tyre e përjetësojmë duke mësuar për historinë e tyre, të kaluarën e tyre, duke mësuar se çfarë i shtyri që të flijonin gjithçka nga vetja për lirinë tonë. Duke e njohur, dokumentuar, ruajtur e prezantuar historinë tonë, ne vëmë bazat e një shoqërie të vetëdijshme e të përgjegjshme”, shtoi tutje ministri Çeku.
Ministri për fund vuri në theks rolin e rëndësishëm të institucioneve të kulturës dhe arsimit në vetëdijesimin dhe përhapjen e burimeve të shkruara, dhe Biblioteka është pjesë e pandashme në këtë proces.
“Në kuadër të fuqizimit të rolit të Bibliotekës si institucion i rëndësishëm kulturor e arsimor, gjatë javës që lamë pas nënshkruam marreveshjen e bashkëpunimit ndërmjet ministrisë sonë dhe asaj të Arsimit dhe ministrisë së Administrimit të Pushtetit lokal. Përmes kësaj marreveshjeje synojmë krijimin e një rrjeti funksional të bibliotekave më të rëndësishme të vendit, rritjen e kualitetit të shërbimeve dhe ofrimit të qasjes në koleksione të larmishme”, tha ministri në fjalën e tij.
Ndërkaq, Bekim Jashari nga familja Jashari, që njëherësh është edhe kryetar i Komunës së Skenderajt, tha se në këtë ditë të shënuar historike po promovohet ky botim kaq i rëndësishëm që pasqyron dhe dëshmon luftën tonë të drejtë, pasqyron ngjarjet që nga sulmi i parë mbi Familjen Jashari e deri te rënia e tyre.
“Raportimi i gazetave, sidomos atyre shqiptare në ato rrethana lufte ishte shumë i vështirë, por gazetarët e reporterët tanë nuk u ndalën asnjëherë duke sjellë tek opinioni i gjerë publik atë që po ndodhte në vendin tonë dhe përmes raportimeve mbi luftën tonë heroike nxitën bashkësinë ndërkombëtare që përfundimisht të intervenojnë në Kosovë”, tha Bekim Jashari.
Për librin po ashtu folën edhe profesori universitar Haqif Mulliqi, publicisti Halil Matoshi dhe drejtori i BKK-së, Fazli Gajraku.
“Libri i Kujtesës: FAMILJA JASHARI në dritën e betejës për liri” nuk është libër komercial. Ai do t’u ndahet të gjitha bibliotekave të vendit, njoftoi drejtori i BKK-së, Fazli Gajraku./InLajmi/