Analisti Nexhmedin Spahiu, tha se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe ai i Shqipërisë, Edi Rama gënjejnë kur thonë se do të votonin pro bashkimit kombëtarë.
Sipas tij bashkimi do të ishte humbje për të 2 shtetet dhe kjo mund të bëhet me marrëdhënie të mira mes Kosovës e Shqipërisë.
“Çudia ime është pse po e shohin të arsyeshme me gënjy, se për që po rrejnë, atë jam 100 % i sigurt. Por kur 2 kryeministrat thojnë që duam referendum dhe do të votonim pro, atëherë përse nuk e organizojnë referendumin, kush i ndalon, a po bëhet fjalë për 2 vende sovrane.” u shpreh Spahiu.
Sipas tij të 2 kryeministrat mendojnë se mund të fitojnë vota nëse flasin, sic i quajti ai, budallallëqe të tilla.
Tutje publicisti deklaroi se me marrëveshjen e nënshkruar sot ndërmjet 2 qeverive, po realizohet ideja e presidentit të Serbisë, Aleksadër Vuçiqit, dhe kryeministrit të Shqipërisë, Edi Ramës për kufijtë e hapur.
“Meqenëse kjo është mbledhja e 7-të e 2 Qeverive, deri më tani marrëveshjet kanë ngelë më shumë në letër, kjo na jep të kuptojmë që më shumë takimet bëhen për propagandë, sesa për të punuar në të mirën e të 2-ja vendeve”, tha Spahiu në emisionin Info Magazinë të Klan Kosovës.
Kurse nga marrëveshja e fundit e nënshkruar sot në Elbasan, Spahiu thotë se ka përfituar më shumë Shqipëria. Kjo, sipas tij, sepse ndërkohë që shteti ka hapur kufijtë edhe me Maqedoninë e me Serbinë, Kosova këso marrëveshje ka vetëm me Shqipërinë.
