Vetëvendosje i është kundërpërgjigjur akuzave të Nismës për presion mbi stafin e QNR-së gjatë rinumërimit të gati 1 mijë e 500 kutive të votimit.
Alban Krasniqi, anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje në QNR, i është përgjigjur komunikatës së Nismës Socialdemokrate, ku janë akuzuar për kërcënime ndaj vëzhguesve në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.
Përmes një shkrimi në facebook, Krasniqi, i ka akuzuar vëzhguesit e Nismës, për ngacmime seksuale brenda QNR-së.
Madje, ai partisë së Limajt, i referohet si ‘Lista Nisma’, teksa thotë se kanë sjellur në QNR, “llumin e tyre”, shkruan InLajmi.
Postimi i plotë:
Natyrisht që merr guxim Lista Nisma që tani të tentojnë të ndryshojnë edhe rezultatin në kuti të votimit, sepse tashmë u pa që në lojë përveç Vuçiqit me Listën serbe është futur edhe Thaçi me PZAP dhe me kapot udhëheqëse të supremes.
Tani kanë sjellë në QNR llumin e tyre gjoja si vëzhgues me qëllim krijimin e tensioneve e pse jo edhe dëmtimin e kutive.
Në vazhdimësi bëjnë presion mbi stafin, krijojnë insinuata, ngacmojnë seksualisht vëzhguese, kërkojnë pavlefshmëri votash.
KQZ duhet tu tregoj vendin këtyre matrapazëve sepse aty është QNR dhe jo Han i Fatmir Limajt.