Në vazhdën e bashkëpunimit mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë, sot në Elbasan u mbajt mbledhja e qeverive të të 2-ja vendeve – ngjarje tashmë e përvitshme tradicionale, përcjell InLajmi.
Sesionin e mbledhjes së përbashkët e hapën me fjalët e tyre kryeministrat Albin Kurti dhe Edi Rama duke ua lënë vendin anëtarëve të kabineteve që të parashtrojnë marrëveshjet që do të nënshkruhen nga ministritë përkatëse.
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, shpalosi marrëveshjet që do të nënshkruajë ministria dhe institucionet qendrore të kulturës.
Kalendari i Përbashkët Kulturor Vjetor, Marrëveshja e bashkëpunimit në fushën e Trashëgimisë kulturore dhe muzeve; Protokolli i bashkëpunimit mes Teatrit Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor të Republikës së Shqipërisë dhe Operës, Filharmonisë, Baletit Kombëtar të Kosovës dhe Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve “Shota” të Republikës së Kosovës, Marrëveshja e Bashkëpunimit të Muzeut Kombëtar të Kosovës dhe Muzeut Historik Kombëtar; Marrëveshja e Bashkëpunimit të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” dhe Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë; Marrëveshja e Bashkëpunimit të Parkut Arkeologjik “Ulpiana” dhe Parkut Arkeologjik Kombëtar Apolonia; janë marrëveshjet që do të nënshkruhen në fushën e kulturës e të trashëgimisë; si dhe Marrëveshja e bashkëpunimit mes Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Shqipërisë.
Ministrat Hajrulla Çeku dhe Elva Margariti nënshkruan Kalendarin e Përbashkët Kulturor Vjetor mes Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Kulturës së Republikës së Shqipërisë.
Kalendari, ndër të tjera, parasheh edhe Menaxhimin Kulturor dhe shkëmbimin e artistëve në fushat e ndryshme kulturore dhe atë të trashëgimisë.
Në fushën e bibliotekave parashihet Konferenca Kombëtare e Bibliotekonomisë, konferenca shkencore për shënimin e 40–vjetorit të ndarjes nga jeta të Branko Merxhanit, 400–vjetorit të vdekjes së Pjetër Budit, 50-vjetorit të vdekjes së Krist Malokit.
Në fushën e filmit parashihet pjesëmarrje e përbashkët në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Berlin, në Festivalin e Kanës me shtand të përbashkët të Qendrës Kinematografike të Kosovës dhe Qendrës Kinematografike Kombëtare, si dhe bashkëpunimi me festivalet e tjera ndërkombëtare të filmit.
Në bashkëpunimin mes teatrove, ansambleve dhe baleteve, parashihet realizimi i shfaqjeve “Carmina Burana”, në Tiranë, realizimi i shfaqjes “Monger” në Prishtinë, pastaj shfaqja e përbashkët “Gjerdani i Artë” midis Ansamblit Popullor dhe Ansamblit “Shota” në nderim të artisteve Nexhmije Pagarusha dhe Fitnete Rexha. Po ashtu, parashihen aktivitete në Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” si dhe në Qendrën Kombëtare të Kulturës për Fëmijë në Tiranë. Baleti Kombëtar i Kosovës gjatë qershorit të vitit të ardhshëm do të paraqitet me shfaqje në Tiranë.
Sipas këtij kalendari, bashkëpunimi do të vazhdojë edhe në fushën e trashëgimisë kulturore, ku Muzeu Kombëtar do të realizojë dy ekspozita në Muzeun Kombëtar të Kosovës, do të botohet një katalog i përbashkët i dy muzeve “Arkeologjia e Shqipërisë dhe e Kosovës” si dhe do të realizohet punëtoria “Muzeu i komunitetit – Programet Edukative në Muzeun Historik Kombëtar dhe Muzeun Kombëtar të Kosovës”. Po ashtu, do të realizohen vizitat dhe ekspozitat e përbashkëta në Berat si dhe koncerti me muzikë tradicionale popullore me artistë nga Vlora dhe Prizreni.
Ndërkaq, në Butrint, në dhjetor të vitit 2022 kur pritet të regjistrohet në listën e UNESCO-s, do të ketë aktivitete, konferenca e ekspozita të përbashkëta.
Qendrat Rajonale të Trashëgimisë Kulturore të Prizrenit, Mitrovicës dhe Gjilanit do të realizojnë ekspozita në Vlorë, Korçë, Berat, Gjirokastër e Korçë. Edhe Muzeu Kombëtar i Kosovës do të ketë 4 aktivitete në Muzeun Kombëtar në Tiranë, me organizimin e ekspozitave dhe programeve edukative.
Bashkëpunim parashihet edhe për programin e Evropës Kreative dhe për të Drejtat e Autorit.
Përpos kalendarit të përbashkët kulturor, ministrat Hajrulla Çeku e Elva Margariti kanë nënshkruar Marrëveshje për bashkëpunim ndërmjet Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Kulturës të Republikës së Shqipërisë në fushën e trashëgimisë kulturore dhe muzeve, e cila parasheh zhvillimin dhe mbështetjen e bashkëpunimit kulturor mes 2 vendeve në fushën e trashëgimisë kulturore dhe muzeve, shkëmbimin e përvojave dhe realizimin e aktiviteteve të përbashkëta në përputhje me standardet ndërkombëtare.
Ndërsa ditën e nesërme pritet të nënshkruhen Protokolli i bashkëpunimit mes Teatrit Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor të Republikës së Shqipërisë dhe Operës, Filharmonisë, Baletit Kombëtar të Kosovës dhe Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve “Shota” të Republikës së Kosovës, Marrëveshja e Bashkëpunimit të Muzeut Kombëtar të Kosovës dhe Muzeut Historik Kombëtar; Marrëveshja e Bashkëpunimit të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” dhe Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë; si dhe Marrëveshja e Bashkëpunimit të Parkut Arkeologjik “Ulpiana” dhe Parkut Arkeologjik Kombëtar Apolonia.
Bashkëpunimi mes Republikës së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë përmes një kalendari të përbashkët ka filluar në vitin 2014 kur është nënshkruar për herë të parë një program i tillë. /InLajmi/