Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në ceremoninë e ndarjes së shpërblimeve për Grantin e Performancës Komunale – Mjedisi i pastër, që u mbajt sot në Prishtinë, përcjell InLajmi.
“Si instrument financiar që bazohet në rezultate, ky grant në mënyrë shumë transparente ka kanalizuar paranë publike nga niveli qendror në atë lokal e lidhur me indikatorë të qartë për ndarjen e fondeve”, tha kryeministri Kurti.
Po ashtu, ai theksoi se granti ka ndihmuar në decentralizimin e përgjegjësisë, duke motivuar zhvillimin e zgjidhjeve lokale për problemet globale që i kemi të gjithë në sektorin e mjedisit dhe veçanërisht në atë të mbeturinave.
Duke përmendur disa nga sukseset e arritura në këtë fazë 3 vjeçare, kryeministri veçoi rritjen e shkallës së mbulimit me shërbim të mbeturinave, rritjen e inkasimit dhe reduktimin e deponive ilegale. Vetëm gjatë kësaj periudhe janë eliminuar mbi 1,000 deponi ilegale, është rritur shkalla e mbulimit me shërbim të mbeturinave në 83.9% dhe shkalla e inkasimit në 90.72%, janë zhvilluar kapacitetet lokale në sektorin e menaxhimit të mbeturinave, pastaj 15 komuna kanë filluar aktivitetet e riciklimit dhe të kompostimit dhe 22 mijë klientë të rinj i janë shtuar sistemit të menaxhimit të mbeturinave.
Krahas përmirësimeve të dukshme në ofrimin e shërbimit për grumbullimin e mbeturinave, me krijimin e bazës së të dhënave të qëndrueshme, vendi ynë ka bërë disa hapa tejet të rëndësishëm në drejtim të ekonomisë qarkore. Kryeministri theksoi se ky grant ka kontribuar edhe në zbatimin e programit të Qeverisë, dhe se angazhimi i komunave deri më tani jep shpresë për të arritur shkallën e pjekurisë për të mundësuar kalimin nga shërbimet themelore në shërbimet e integruara të mbeturinave.
“Ne tashmë e kemi aprovuar koncept dokumentin për skemën e granteve të performancës komunale dhe, përderisa po flasim këtu, është duke u hartuar Ligji për Sistemin e Menaxhimit të Performancës Komunale”, tha kryeministri. Ky ligj do të shërbejë si pikë hyrëse për t’i kanalizuar fondet e investimeve të Qeverisë për komunat, në mbështetje të përpjekjeve të komunave për ta avancuar cilësinë e ofrimit të shërbimeve në grumbullimin e mbeturinave.
Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, kryeministri konfirmoi përkushtimin për ta vazhduar mbështetjen dhe bashkëpunimin e mëtutjeshëm me komunat në promovimin e sektorit të menaxhimit të integruar të mbeturinave dhe të ekonomisë qarkore, hapat e parë e së cilës po i hedhim tani.
Përmbyllja e fazës së parë të Grantit të Performancës Komunale – Mjedisi i Pastër, skemë kjo e përbashkët e granteve të Qeverisë së Kosovës me Bashkimin Evropian dhe Qeverinë Gjermane, u shënua në kuadër të Javës Evropiane për Reduktimin e Mbetjeve./InLajmi/