Ministri i Financave, Hekuran Murati, gjatë seancës plenare të Kuvendit të Kosovës ka thënë se gjendja ekonomike, referuar situatës nëpër të cilën kaloi Kosova si shtet pas goditjes nga pandemia, raporton InLajmi.
Nga kjo ministri i Financave u shpreh se bazuar në analizat e bëra, vlera e rritjes ekonomike rezulton ndjeshëm më e lartë sesa pritjet e tyre fillestare.
”Ne sot para jush si qeveri, paraqesim projektligjin e ndarjeve buxhetore për 2022. Sa i përket vitit që po e lëmë pas, ne si qeveri kemi përcjellur me kujdes treguesit kryesorë ekonomikë, përgjatë periudhës janar/shtator të këtij viti”.
”Dhe sipas të dhënave të publikuara nga ASK, brutoprodukti vendor gjatë gjysmës së parë të vitit 2021, ka shënuar një rritje mesatare prej 10.5%”.
”Kjo rritje është në linjë me pritjet tona për rimëkëmbje të theksuar ekonomike pas lehtësimit të masave kufizuese të ndërmarra në kuadër të pandemisë COVID-19, dhe reflekton efektin bazë të rënies së ndjeshme në tremujorin e dytë në vitin e kaluar dhe intenzitetin e faktorëve që kanë ushqyer rritjen në gjysmën e parë të vitit 2021”.
”Megjithatë magnituda e rritjes ekonomike ka rezultuar ndjeshëm më e lartë sesa pritjet fillestare”.
”Rritja e deritashme konfirmon se ekonomia e Kosovës ka rikuperuar pothuajse plotësisht humbjet e shkaktuara nga pandemia në aktivitetin ekonomik”.
”Sipas vlerësimeve tona më të fundit, ekonomia e Kosovës gjatë vitit aktual pritet të rritet në mënyrë dyshifrore pra në 10% në terma real, ndërsa 12.2% në terma nominal, duke lënë pas recesionin ekonomik të vitit të kaluar”. /InLajmi/


















