Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së, Hykmete Bajrami ka reaguar pasi Vetëvendosje me anë të një njoftimi për media deklaroi se “çlirimi i Kosovës ende nuk ka përfunduar”, përcjell InLajmi.
Bajrami ka shtuar se Kosova është çliruar më 1999 dhe se Vetëvendosje po tenton të rishkruajë historinë.
Ajo natyrshëm ka pyetur Vetëvendosjen është se a u çliruan edhe Prishtina, Prizreni e Mitrovica të keqqeverisura nga Vetëvendosje?
Postimi i plotë i saj pa ndërhyrje:
Kosova është çliruar më 1999
Një parti politike, Lëvizja Vetëvendosje, humbësja më e madhe e zgjedhjeve lokale, në vend se të punojë diçka për arsim, të zhvillojë ekonominë, të zhvillojë shëndetësinë, të thellojë raportet miqësore në SHBA-në, ka vendosur të merret me krejt diçka tjetër.
Partia në pushtet – që dështoi në zgjedhjet lokale në shumicën e komunave të Kosovës – po tenton të rishkruajë historinë. Po tenton të tregojë se kur është çliruar Kosova dhe e kanë harruar qershorin e vitit 1999.
Në vend se të përmendin 1999-ën, Vetëvendosje njëherë e prezantoi 14 shkurtin si datë të çlirimit. Ndërsa, tash prapë – partia humbëse e zgjedhjeve lokale – po tenton ta prezantojë fitoren në 4 komuna si çlirim i ri për këto komuna.
Dhe, natyrshëm pyetja për Vetëvendosjen është se a u çliruan edhe Prishtina, Prizreni e Mitrovica të keqqeverisura nga Vetëvendosje?
Kjo gjuhë që po përdoret nga Vetëvendosje është fyerje për secilin qytetar të Republikës. Për secilin që ka dhënë një pikë kontribut për çlirimin e Kosovës. Për secilën dëshmore e dëshmor. Për secilën familje që ka sakrifikuar gjithçka për çlirim.
Partia humbëse e zgjedhjeve lokale duhet të marrë mësim. Të bëjë vetëkritikë dhe t’ia nisë e të punojë diçka.
Sepse disfata juaj, dështimi juaj në shumicën e komunave në zgjedhjet lokale lidhet me dështimin e juaj në Qeveri. Koha është të punoni e t’i përmbushni premtimet që i keni dhënë në të gjitha fushat.
Kuptojeni se Kosova është çliruar më 1999. Kthjelluni e punoni diçka. Nuk jeni në pushtet për t’u ankuar e bërë analiza e të vajtoni për dështimin në zgjedhjet lokale. /InLajmi/