Në 24 orët e fundit në vendin tonë janë regjistruar pesë raste të reja me koronavirus derisa nuk është shënuar asnjë viktimë.
Mesditën e së martës në sallën 1 Tetori, nuk kishte interesim për tu vaksinuar përderisa nga Ministria e Shëndetësisë thonë se shumë shpejt do të merret vendimi për dozën e tretë të vaksinës anti-Covid.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë dozë përforcuese do të marrin personat që janë vaksinuar plotësisht me 2 doza por tek të cilët me kalimin e kohës imuniteti ka ardhur duke rënë kurse dozën e 3-të të vaksinës anti-covid do ta marrin ata persona tek të cilët 2 dozat fillestare nuk kanë krijuar imunitet të mjaftueshëm.
“Me dozë përforcuese apo dhe me dozë të 3-të, varësisht se për cilën bëhet fjalë, vaksinohen të moshuarit, personat me imunitet të dobët, profesionistët shëndetësorë, por nuk përjashtohen as kategori të tjera”, thuhet në përgjigjen e MSH-së për RTK-në.
Nga Ministria e Shëndetësisë gjithashtu kanë bërë të ditur se edhe për dozën e tretë në vendin tonë do të aplikohen vaksina të cilat janë duke u administruar, pra Pfizer dhe Astra Zeneca.