Gjykata Themelore në Prizren ka njoftuar se është caktuar masë paraburgimi prej një muaji për R.K që po dyshohet se ka kryer veprën penale të vrasjes në tentativë, përcjell InLajmi.
Në komunikatën për media është bërë e ditur se rasti kishte ndodhur mesnatën e së enjtes në Prizren, i pandehuri për shkak të një ngatërrese kishte shkuar në një lokal dhe e kishte ther me thikë viktimën pasi refuzoi t’i shërbente birrë.
“Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, gjyqtarja e procedurës – Teuta Krusha, ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje tridhjetë (30) ditë, e cila do të llogaritet prej kohës së arrestimit 12.11.2021 dhe mund të zgjasë deri më datën 12.12.2021, ndaj të pandehurit R.K., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale të vrasjes në tentativë nga neni 172 lidhur me nenin 28 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatë.
Sipas njoftimit të Gjykatës “me datë 11 nëntor, në orët e mesnatës në Prizren, në një lokal, për shkak të një ngatërrese rreth shërbimit në lokalin në fjalë, pasi i dëmtuari refuzon të shërbej të pandehurin R.K., me pije – birrë, i njëjti e nxjerrë thikën, me dashje ndërmerr veprim me qëllim të vrasjes, me thikë e ther në bark të dëmtuarin dhe largohet nga vendi i ngjarjes, si pasojë e së cilës viktima dërgohet në emergjencën e spitalit të Prizrenit dhe e më pas dërgohet në QKUK- në Prishtinë në tretman urgjent mjekësor”.
“Kurse a do të argumentohen këto fakte do të vlerësohet në fazat e mëtejme të procedurës penale”, thuhet në komunikatë.
Me rastin e caktimit të paraburgimit Gjykata ka marrë parasysh faktin se i pandehuri pas kryerjes së veprës penale është larguar nga vendi i ngjarjes dhe se prezenca e tij është siguruar në mënyrë të dhunshme nga ana e zyrtarëve të policisë.
Pra me qëndrimin e tij në liri mund të fshihet apo të arratiset me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale, për shkak të dënimit të lartë për të cilën vepër parashihet, si dhe në rrjedhën e mëtejmë do të mblidhen edhe prova të tjera për zbardhjen e kësaj çështje penale.
Nga të lartcekurat, Gjykata ka ardhur në përfundim se në rastin konkret duke marrë parasysh edhe peshën e veprës penale , caktimi i masës së paraburgimit për të pandehurin është i domosdoshëm dhe i arsyeshëm me qëllim të mbarëvajtjes së rregullt të procedurës penale – hetimore, kështu që ndaj të pandehurit të lartcekur u caktua masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji.
Kundër këtij vendimi, pala e pakënaqur ka të drejtë ankese, në Gjykatën e Apelit, ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij./InLajmi/