Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Nikola Selakoviq, gjatë një takimi me ambasadorin e Holandës, Jost Reinces, ka përsëritur se dialogu Kosovë-Serbi dhe kompromisi janë e vetmja rrugë e drejtë për arritjen e një marrëveshjeje të qëndrueshme.

Sipas tij “Beogradi i ka përmbushur obligimet e veta, ndërsa Prishtina vazhdimisht refuzon zbatimin e marrëveshjes, para së gjithash për të mundësuar formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe”

Duke folur për prioritetet e politikës së jashtme të Serbisë, Selakoviq veçoi bashkëpunimin rajonal dhe lidhjen ekonomike në rajon, veçanërisht përmes iniciativës “Ballkani i hapur” dhe krijimit të një hapësire të vetme ekonomike, raporton Kosovo Online.
Kryediplomati serb tha se Serbia është e përkushtuar për forcimin e mëtutjeshëm të marrëdhënieve bilaterale, realizimin e vizitave në nivelin më të lartë dhe intensifikimin e bashkëpunimit në shumë fusha me interes të përbashkët, transmeton Klankosova.tv.




















