Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti do të marrë pjesë në Forumin e Paqes në Paris. Pjesëmarrjen e të parit të vendit në këtë forum që do të mbahet të enjten dhe të premten në Paris e që do të jenë rreth 450 pjesëmarrës në tërësi, e ka bërë të ditur zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu.
Ndërkohë që Kosova nuk është ftuar në Samitin për Demokraci, samit ky i cili do të mbahet për herë të parë në SHBA.
Nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) në Kosovë treguan të premten se pse Kosova, Bosnja dhe Hercegovina, dhe Serbia mbetën jashtë Samitit për Demokraci.
Në përgjigje u tha se jo të gjithë partnerët mund të akomodohen në këtë nismë.
“Samiti për Demokraci i presidentit është një nga shumë nismat amerikane e fokusuar në avancimin e demokracisë, luftimit të korrupsionit dhe promovimit e respektimit të të drejtave të njeriut anë e mbanë botës. Jo të gjithë partnerët mund të akomodohen në këtë nismë” u tha në përgjigjen e ambasadës, përcjell KosovaPress.
Megjithëkëtë nga ambasada u tha se SHBA-ja do të punojë me Kosovën në forme të tjera për të avancuar dhe fuqizuar demokracinë, parandaluar rrëshqitjen demokratike, promovuar respektimin e t ë drejtave të njeriut dhe për të luftuar korrupsionin.