Një burrë i lënduar është shpëtua nga një shpellë në jug të Uellsit, pasi mbeti i ngujuar për më shumë se 2 ditë së paku 300 metra nën sipërfaqen e tokës.
Burri u nxor nga shpella “Ogot Ffynnon Ddu” rreth orës 7 e 45 të hënën në mbrëmje pas një operacioni të vështirë që zgjati 54 orë.
Pasi u nxor në sipërfaqe, anëtarët e ekipit të shpëtimit e duartrokitën dhe e përgëzuan burrin, para se ai të transportohej me një veturë të posaçme “Land Rover” deri te një ambulancë.
Personi, për të cilin thuhet se është eksplorues me përvojë i shpellave, u ngujua të shtunën rreth orës 13 pas një rrëzimi. Raportohet se lëndimet e tij nuk ia rrezikojnë jetën, por besohet se në to përfshihen një këmbë e thyer, nofulla e thyer dhe lëndimet në shpinë, shkruan The Guardian.
Zyrtari i shërbimeve emergjente, Gary Evans, para gazetarëve tha:
“Jemi absolutisht të kënaqur. Jemi të kënaqur, sepse ishte një shpëtim i vështirë dhe jemi të kënaqur, sepse personi ia ka dalë vërtet mirë duke e marrë parasysh atë që ka ndodhur”, transmeton Gazeta Express.
Në operacionin e shpëtimit morën pjesë rreth 250 vullnetarë për shpëtim nga shpella. Rrjeti i shpellave ku u ngujua ky person është njëri prej më të gjatëve në Mbretërinë e Bashkuar.