Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka bërë homazhe tek varri i Astrit Dehari, në 5 vjetorin e vdekjes së tij në burgun e Prizrenit, raporton InLajmi.
Kurti me mallë dhe dashuri tha se e kujtojmë angazhimin, sakrificën dhe kontributin e tij.
“Sot jam mbushur pesë vjet pa Astritin. Me shumë dhembje e mall, me shumë dashuri dhe krenari e kujtojmë për punën e angazhimin e kontributin e sakrificën e tij. Pesë vjet pa Astritin janë edhe pesë vjet pa drejtësi. U mbyt në burgun e Prizrenit më 5 nëntor 2016 dhe sot e kësaj dite ne nuk mund të jemi të qetë derisa nuk ka drejtësi për Astritin dhe përgjegjësit nuk janë gjykuar e dënuar dhe përderisa nuk është zbardhur në plotëni e vërteta për të”,tha ai.
Tutje Kurti tha se ia kemi borxh drejtësinë Astritit dhe qytetarëve për Astritin.
“E kemi pasur shok të ngushtë, ka qenë shembull për të gjithë me aktivitetin, dashamirësinë dhe organizimin që ka bërë. Ne ja kemi borxh edhe Astritit edhe qytetarëve drejtësinë për Astritin”.
‘’Duhet dhe do të bëjmë reforma të thella në sistemin e drejtësisë, edhe për viktimat e krimeve gjatë luftës nga Serbia, edhe për viktimat e krimit të organizuar e korrupsionit, e edhe për viktimat e krimit politik, çfarë ishte edhe mbytja e Astritit në burg”, tha Kurti./InLajmi/