Policia e Kosovës, ka njoftuar se pas pranimit të informacioneve lidhur me kërcënimin ndaj Kryeministrit Kurti, menjëherë ka ndërmarrë të gjitha masat dhe veprimet e nevojshme, përcjell InLajmi.
Nga Policia e Kosovës bëjnë të ditur se fillimisht kanë shtuar masat e sigurisë personale të Kryeministrit përfshirë këtu mbrojtjen e afërt, por gjithashtu edhe ka dërguar njësi të reagimit të shpejtë nga Regjioni i Prishtinës të përberë nga 2 zyrtarë policorë, në sigurim te shtëpia e banimit të Kryeministrit. Policia e Kosovës konfirmon se në këtë aktivitet nuk ka pasur të angazhuar asnjë zyrtarë të njësive speciale.
Lidhur me rastin menjëherë janë iniciuar hetimet dhe ato janë duke vazhduar, përderisa bazuar në hetimet e deritanishme dhe vlerësimin e rrezikut, njësia e reagimit të shpejtë është larguar nga lokacioni.
Ndërkaq, nga Policia e Kosovës thonë se do të vazhdojnë angazhimin drejt ofrimit të sigurisë ndaj personaliteteve të vendit dhe qytetarëve të saj, duke përfshirë edhe hetimin dhe trajtimin e të gjitha rasteve./InLajmi/