Ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj fton të gjithë të rinjtë dhe të rejat të konkurrojnë në konkursin për pranim të 840 ushtarëve të rinj në FSK, përcjell InLajmi.
Ai ka njoftuar se ky proces do të jetë fer dhe transparent në përputhje të plotë me procedurat dhe kriteret, ku do të zgjidhen vetëm “Më të mirët prej më të mirëve”.
Tutje Mehaj është shprehur se shërbimi në ushtrinë e vendit është detyrim i shenjtë.
‘’Nga pozita e ushtarakut, ju rikujtoj se shërbimi në ushtrinë e vendit është detyrim i shenjtë, borxh dhe nder ndaj historisë, së tashmes dhe së ardhmes së vendit tonë dhe qytetarëve tanë’’, ka shkruar Mehaj.
Postimi i plotë i tij:
Qytetarë të dashur,
Të rinj e të reja të Republikës së Kosovës,
Kam kënaqësinë që edhe njëherë të ju ftoj, të konkurroni në konkursin për pranimin e 840 ushtarëve të rinj në FSK.
Ju ftoj ju, të gjithë të rinj e të reja të vendit tonë, të të gjitha komuniteteve pa dallim, që dëshironi të jeni pjesëtarë të FSK-së, që të na bashkoheni për shërbim ndaj vendit.
Si Ministër i Mbrojtjes, të gjithë të interesuarve, ju garantoj proces fer dhe transparent, dhe në përputhje të plotë të procedurat dhe kriteret, mbi parimin e mundësisë dhe shanseve të barabarta, ku do të zgjidhen vetëm “Më të mirët prej më të mirëve”.
Forca e Sigurisë së Kosovës është Ushtria e vendit, forcë profesionale, multietnike dhe në shërbim të të gjithë qytetarëve pa dallim të përkatësisë etnike.
Ju mirëpresim të gjithëve që çmoni të shenjta, Besnikërinë, Respektin, Shërbimin vetëmohues, Integritetin dhe Guximin, vlera ushtarake këto, të mishëruara në Detyrën, Nderin dhe Atdheun tonë.
Andaj, konkurroni pa hezitim, sepse FSK është e të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe shërbimi ndaj saj është obligim i përbashkët.
Ne do të jemi me ju gjatë gjithë kohës duke ju mbajtur vazhdimisht të informuar.
Mos hezitoni të adresoni gjithçka që është në interesimin tuaj për gjithçka që ndërlidhet me konkursin.
“Ushtari është Ushtria. Asnjë Ushtri nuk është më e mirë se Ushtarët e saj. Ushtari është gjithashtu Shtetas. Në fakt, detyrimi dhe privilegji më i lartë i shtetësisë është të mbash armën për Atdheun”.
– General George S. Patton Jr./InLajmi/