Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, e ka dënuar sulmin ndaj ushtruesit të detyrës së kryeshefit të “Trepçës”, Enis Abdurrahmani dhe drejtorit të administratës, Besim Haxhiu, në zyrat e kësaj ndërmarrjeje, raporton InLajmi.
Kreu i Qeverisë më tej shtoi se nuk do të lejojë që asnjë individ e as grup të jetë më i fuqishëm se shtetit, duke u zotuar për mbështetjen e menaxhmentit.
“Na vjen shumë keq çfarë ka ndodhur, një sulm i organizuar e i dhunshëm mbi udhëheqjen por me këtë rast e dënojmë ashpër këtë sulm dhe nuk është në të mirën e askujt”.
“Si kryeministër i vendit, zotohem se nuk do të ketë asnjë individ e as grup më të fuqishëm se shteti. E ata që dëshirojnë këtë, bien ndesh me ligjin”, tha Kurti.
Nga takimi që pati me këta të fundit Kurti tha se ka marrë lajme të mira për nxjerrjen e xeheve dhe rritjen e çmimeve në bursë si rrallë herë.
Madje ai u zotua se në 2 vjetët e ardhshme do të investohen 70 milionë euro.
“Sot erdhëm këtu në Trepçë që të takohemi me udhëheqësit e saj, diskutuam për situatën në Trepçë dhe mund të them se jam i inkurajuar me faktin që në muajin shtator ka pasur prodhim mbi 16 ton xehe në minierën e Stantërgut dhe mbi 4 mijë në atë të Kishnicës në Artanë, pra në total janë mbi 20 mijë tonë në muajin Shtator”.
“Në anën tjetër është lajm i mirë për Trepçën se çmimet në bursë janë ngritur, janë të larta si rrallë herë. Pra diku mbi 3 500 ton. Jemi të lumtur kur ishim në pranverë në Qeveri, e kemi dëshmuar se jemi shumë të interesuar për Trepçën dhe këtë e kemi bërë materialisht, ku në kushte gjendje pandemike, e kur ishim në gjendje shumë të vështirë edhe politike, ne i kemi ndarë mbi 7 milionë euro për Trepçën. Për dt vjet do të investojmë së paku 70 milionë euro”, tha Kurti.
Ushtruesi i detyrës së kryeshefit të “Trepçës”, Enis Abdurrahmani u ka bërë apel minatorëve që të ndërpresin grevën, duke shtuar se e kanë mbështetjen e Qeverisë për çdo vendim.
“Nga këtu i bëjmë apel minatorëve dhe punëtorëve që të kthehen në vendin e tyre të punës. Ne si menaxhment e gëzojmë mbështetjen e plotë të Qeverisë dhe për çdo gjë ne do të mundohemi t’i përkrahim, qoftë ajo në formë materiale apo me pako tjera sociale që premtohen nga shteti”.
Këto komente Kurti i bëri kur bashkë me ministren e Ekonomisë Artane Rizvanolli vizituan ndërmarrjen.
Abdurrahmani e ka akuzuar ish-kryeshefin e Trepçës, Rafet Ibishin, sulm duke thënë se kishte për qëllim dëmtimin e pronave të ndërmarrjes.