Udhëheqësit e Bashkimit Evropian do të takohen sot pasdite dhe nesër, për të diskutuar rreth integrimit të Ballkanit Perëndimor në union. Sipas mediave ndërkombëtare diskutimet do të fokusohen tek perspektiva e anëtarësimit për Serbinë, Kosovën, Bosnjë-Hercegovinën, Malin e Zi, Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Pas disa javësh mosmarrëveshje mbi formulimin e një deklarate të samitit, negociatat në prag të samitit në Slloveni duket se kanë dhënë rezultate, me draft dokumentin e fundit që thotë se BE “rikonfirmon angazhimin e saj ndaj procesit të zgjerimit“.
“Ne gjithashtu kujtojmë rëndësinë që BE mund të ruajë dhe thellojë zhvillimin e vet, duke siguruar kapacitetin e saj për të integruar anëtarë të rinj“, citon Euroaktiv dokumentin e BE.
Në samitin që do të zhvillohet në Slloveni do të diskutohet gjithashtu për përmirësimin e bashkëpunimit që synon rimëkëmbjen socio-ekonomike të rajonit nga pasojat e pandemisë Covid-19, si dhe zbatimin e Planit Ekonomik dhe të Investimeve me vlerë 30 miliardë Euro, e cila do të sigurojë ndihmë financiare për rajonin, përcjell tvklan.al
Sllovenia që mban dhe presidencën e BE, ka paraqitur si objektiv vitin 2030 si afat kur të 6-të shtetet ballkanike të anëtarësohen me të drejta të plota në BE ndërsa nuk dihet nëse të gjithë liderët do te pranojnë të vënë afate të tilla.