Ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj, ka thënë se gjatës ditëve të kaluara siguria në Kosovë është sfiduar nga Serbia, duke provokuar tensione.
Mehaj ka treguar hapat që po ndërmerren për të ofruar një ambient të qetë dhe të sigurt, duke thënë se është detyrim ligjor mbrojtja e rendit kushtetues.
“Gjatë ditëve të kaluara, mjedisi i sigurisë sonë dhe ai i sigurisë rajonale, u sfidua duke u provokuar situatë e tensionuar politike dhe e sigurisë nga Qeveria e Republikës së Serbisë. Në përputhje me kompetencat dhe detyrimet ligjore, Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Kosovës, realizojmë monitorimin, analizën , si dhe vlerësimin e pandërprerë , gjatë 24 orëve në 7 ditë të javës, të të gjitha kërcënimeve dhe rreziqeve që kanosin sistemin tonë të sigurisë dhe mbrojtjes”, u shpreh ai.
Tutje tha se mbi bazën e këtyre vlerësimeve, planifikohen edhe kapacitetet, masat, si dhe veprimet operacionale me vendimmarrjen e duhur.
“Ministria e Mbrojtjes bashkë me institucionet tona shtetërore, dhe në bashkëveprim dhe koordinim me KFOR-in, kemi detyrim ligjor për ruajtjen e rendit kushtetues të shtetit, institucioneve si dhe jetës dhe mirëqenies së të gjithë qytetarëve të vendit”, shkroi ministri në Facebook.
Mehaj ka renditur një nga një aktivitetet që po i zhvillon Ministria e Mbrojtjes.
Këtë jemi duke e realizuar me vendosmëri të plotë, krahas:
– Reformës ligjore, me procedimin e plotësim/ndryshimit të tri ligjeve themelore të Mbrojtjes;
– Projektligjeve për deminim humanitar, dislokim jashtë vendit dhe Policisë Ushtarake;
– Koncept-dokumentit për komponentën rezervë dhe Agjencinë e mbrojtjes së inteligjencës dhe sigurisë;
– Reformës në politikat e sigurisë shtetërore me hartimin e Strategjisë së Sigurisë së Republikës së Kosovës dhe Strategjisë së Mbrojtjes, transmeton Telegrafi.
– Shtimit të kapaciteteve njerëzore në FSK me përmbyllje të suksesshme të rekrutimit për vitin 2021;