Policia tha se ka rimarrë kontrollin e një burgu në Ekuador, ku trazirat lanë së paku 118 të burgosur të vdekur, derisa bandat rivale të drogës luftonin për kontrollin e objektit.
Autoritetet thanë se trazirat e ditëve të fundit ishin një nga betejat më vdekjeprurëse të burgjeve në historinë e Amerikës së Jugut.
Përveç të vrarëve, 86 të burgosur të tjerë u plagosën, 6-të prej tyre në gjendje kritike, thanë zyrtarët e burgut në Ekuador.
Sipas prokurorit kombëtar, së paku 6-të viktimave iu pre koka.
Trazirat shpërthyen më 28 shtator në një kompleks burgu në qytetin Guajakuill, midis të burgosurve që besohet se kanë lidhje me bandat meksikane të drogës.
Komandantja e policisë, Tannya Varela, tha të enjten vonë se “të burgosurit nuk kanë më kontroll mbi blloqet e qelive”.
Rendi u rikthye pas një operacioni masiv të sigurisë, që përfshiu rreth 900 oficerë dhe anëtarë të njësive taktike.
Së paku 2 oficerë të policisë u plagosën në operacion.
Trazirat në burgjet e Ekuadorit kanë lënë të vrarë mbi 230 të burgosur këtë vit, përcjell REL.
Më 23 shkurt, trazirat në 4 burgje, përfshirë atë në Guajakuill, kanë lënë të vdekur 79 të burgosur – disa prej të cilëve u është prerë koka.