Prania e zyrtarëve rusë në objektet e ushtrisë serbe, që ndodhen në kufirin midis Serbisë dhe Kosovës, është një mesazh konfuz nga Beogradi, që mund të dënohet nga vendet perëndimore, thotë për Radion Evropa e Lirë analisti serb i politikës së jashtme, Boshko Jakshiq.
Qysh më 20 mars, serbët në veri të Kosovës kanë bllokuar 2 vendkalimet kufitare që ndodhen në këtë zonë – Jarinjën dhe Bërnjakun – për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për masa reciprociteti ndaj automjeteve me targa të Serbisë.
Me këtë vendim, të gjitha automjetet nga Serbia që hyjnë në Kosovë, duhet të pajisen me targa të përkohshme. Për të monitoruar procesin, në kufijtë në veri është vendosur edhe njësia speciale e Policisë së Kosovës.
Masa të ngjashme ndaj automjeteve me targa të Kosovës, Serbia zbaton tash e sa vite.
Më 26 shtator, ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Nebojsha Stefanoviq, dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Serbe, Millan Mojsilloviq, kanë vizituar disa ushtarë serbë, që janë vendosur në gjendje të gatishmërisë luftarake në bazën ushtarake të Rudnicës. Kjo bazë gjendet pranë qytetit të Rashkës në Serbi, rrugës për në pikën kufitare të Jarinjës.
Me ta ka qenë edhe ambasadori i Federatës Ruse në Beograd, Aleksandr Botsan-Kharchenko, si dhe i dërguari rus për mbrojtje, Aleksandr Zinchenko.
Është thënë se ata kanë shkuar atje që “të binden personalisht për situatën aktuale”.
Jakshiq vlerëson se kjo është një pikë diplomatike për Moskën, por dështim i Beogradit.
“Moska vazhdon ta përdorë me sukses konfliktin e Kosovës si kanalin më të rëndësishëm për zgjerimin e ndikimit të saj. Në anën tjetër, Beogradi e ka marrë pa u menduar ambasadorin në Rashkë dhe nuk ka dyshim se Perëndimi do ta interpretojë këtë si provokim”, thotë Jakshiq.
Në ueb-faqen e Ministrisë serbe të Mbrojtjes thuhet se Stefanoviq i ka falënderuar mysafirët nga Rusia “që janë njoftuar me situatën në vijën administrative dhe në veriun e Kosovës dhe Metohisë”.
Ambasadori rus thuhet se ka konfirmuar mbështetjen e Rusisë për pozicionin e Beogradit dhe se ka shprehur shqetësimin e Moskës zyrtare.
“Kjo ka për qëllim pastrimin etnik të Kosovës”, ka thënë Kharchenko.
Ambasadori rus e ka shfrytëzuar vizitën për të komentuar edhe pozicionin e vendeve perëndimore, të cilat i ka cilësuar si “të çuditshme” dhe “të dëmshme”. Ai ka thënë se ato “i mbyllin sytë në një situatë shumë të rrezikshme”, ndonëse, sipas tij, “të gjithë e kuptojnë se kush është fajtor dhe cila është arsyeja e një provokimi të tillë”.
Që nga fillimi i krizës, Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja kanë kërkuar që Kosova dhe Serbia t’i ulin tensionet dhe që çështjet e hapura t’i zgjidhin me dialog.
Analisti serb, Dragomir Angjellkoviq, thotë se Federata Ruse, në këtë mënyrë, i jep mbështetje Serbisë dhe përçon mesazhin se do të qëndrojë prapa masave që do t’i marrë Beogradi.
“Ky mesazh është dërguar kryesisht në Beograd, ndërsa të gjithë të tjerët, në bazë të kësaj, mund të konstatojnë se Beogradi ka më shumë hapësirë për manovrim, nëse është e nevojshme për të mbrojtur serbët në Kosovë”, thotë Angjellkoviq.
Sipas tij, prania e zyrtarëve rusë në objektet ushtarake të Serbisë kontribuon në qetësimin e tensioneve, sepse “Bashkimi Evropian, i cili është garantues i Marrëveshjes së Brukselit [për lëvizje të lirë], nuk ka bërë asgjë për ta zbatuar atë marrëveshje”.