BE-ja dhe SHBA-ja i bëjnë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të ulin tensionet. Kurti thotë, se reciprociteti nuk është kundër serbëve. Vuҫiq paralajmëron kundërpërgjigje ndaj Prishtinës zyrtare.
Serbët në veri të Kosovës po mbajnë të bllokuara rrugët për në pikat kufitare në Jarinje dhe Bërnjak në kufirin Kosovë-Sebi, duke kundërshtuar kështu vendosjen e reciprocitetit nga Kosova për targat e veturave të Serbisë. Policia e Kosovës disa herë u detyrua të perdorë gazin lotsjellës në përpjekje për të liruar rrugët, por bllokimi vazhdon duke krijuar një situatë të tensionuar.
Autoritetet e larta të Serbisë paralajmëruan kundërpërgjigje, siҫ tha presidenti Aleksandër Vuҫiq “masa të dhimbshme politike dhe ekonomike”. Që nga mëngjesi i së hënës, policia e Kosovës nuk po lejon që veturat me targa të Serbisë të hyjnë në territorin e Kosovës. Deri tani, Serbia nuk ka lejuar veturat me targa të Kosovës të hyjnë në Serbi, por u ka vendosur targa të përkohshme.
Të njëjtën gjë po e bën nga edhe Kosova, ku autoritetet po vendosin në veturat me targa të qyteteve të Serbisë, regjistrime të përkohshme për qarkullim brenda në Kosovë. Vendosja e reciprocitetit nga Kosova në targa të veturave me Serbinë, nxiti tensione në veri të Kosovës, përkatësisht në pikat kufitare Jarinje dhe Bërnjak, ku grupe serbësh lokalë po mbajnë të bllokuara rrugët në veri. E kjo situatë ka shqetësuar bashkësinë ndërkombëtare, që po bën thirrje për qetësi dhe ulje tensionesh, shkruan DW.
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Peter Stano, tha se “tensionet duhet t’i ndalin të 2-ja palët dhe tha se dialogu duhet shfrytëzuar për të zgjidhur mosmarrëveshjet e tilla”.