Kryetari aktual dhe kandidati i AAK-së për komunën e Deçanit, Bashkim Ramosaj, në një prononcim për Ekonomia Online, tha se situata me pandeminë nuk është menaxhuar fare nga Qeveria. Tutje, ai thotë se synim për mandatin tjetër ka zgjidhjen e problemit të mungesës së mjekëve.
Ramosaj thotë se program zgjedhor është më i denjë dhe i përgjigjet Deçanit. Ai thotë se Deçanin në këto katër vjet qeverisje e ka sjell në një stad të zhvilluar.
“Është e natyrshme derisa njeri e sfidon veten të jetë kandidat për kryetar komune. Unë kam pasur fatin të jem një mandate kryetar komune. Ne duhet të përkushtohemi shumë që t’i realizojmë një sërë projektesh të cilat jetën e qytetarit në Deçan e bëjnë pak më të mirë. Këtë qytet e shpërfaqin përballë të tjerëve me potencialin dhe resurset që kanë”.
“Në këtë rast unë besoj që do të jem fitues dhe po ashtu kemi një program zgjedhor që vlerësoj se është program më i denjë që i përgjigjet Deçanit. Dhe ajo që do të bëjmë mbas zgjedhje do të jetë vazhdimësi edhe e projekteve të këtij mandati mirëpo që do të ketë risi edhe në mandatin tjetër sepse Deçani ka kaluar në stad tjetër të zhvillimit dhe ky stad është i dukshëm për të gjithë qytetarët dhe besoj se do të kem përkushtimin e njëjtë që të përmbyllim edhe një stad tjetër të këtij qyteti”.
Tutje, Ramosaj thotë se asnjë sektor nuk duhet të anashkalohet, duke u zotuar se do të vazhdojë të punojë për konkretizimin e shumë projekteve.
“Në rast se flasim për sektorin e arsimit atëherë ndërtimin e infrastrukturës në shkollat e komunës së Deçanit veçse është në përfundim e sipër. Na ka mbet të punojmë më shumë në sistemin e sigurisë me trotuare, me ndriçim. Dhe është shqetësim mungesa e mjekëve jo vetëm në komunën e Deçanit por edhe komuna tjera. Ambiente komode janë krijuar në shëndetësi dhe duhet të shohim plotësimin e mjekëve në komuna”.
“Përkundrejt shumë angazhimeve, marrëveshjeve ndërkombëtare që i kemi premtuar ende nuk kemi ndonjë aktivitet konkret për t’i zbatuar këto marrëveshje jo për fajin tonë por është një lloj neglizhence e cila nuk hyn në funksion drejtpërdrejtë. Ajo që e bënë Deçanin atraktiv është kryeqendra e turizmit. Duke mos anashkaluar edhe sektorin e bujqësisë”, tha Ramosaj.
Sipas tij, pandemia nuk është menaxhuar fare nga Qeveria.
“Kisha pas qejf bile me quajt keq. Pandemia nuk është menaxhuar fare. Dhe kur nuk menaxhohet një zyrtar ose një ministër nuk mund të menaxhojë pandeminë duke dalë të japë deklarata në medie. Menaxhimi i pandemisë kërkon veprime konkrete të cilat ish dashtë me ndodh dhe jo veprime teori. Duhet të ketë veprime konkrete”.