Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ka finalizuar Udhëzimin Administrativ për Pagesa Direkte në Bujqësi për vitin 2021, përcjell InLajmi.
Qëllimi i këtij Udhëzimi Administrativ është që të përcaktojë rregullat, kriteret e pranueshmërisë dhe procedurat e përkrahjes për fermerët aplikues, si dhe zbatimin e pagesave direkte në bujqësi për vitin 2021.
Ky akt normativ i rëndësisë së veçantë për realizimin e Programit të Pagesave Direkte për vitin 2021 mori formën finale duke iu nënshtruar kështu të gjitha procedurave ligjore deri në finalizimin e plotë të tij, ku vlen të theksohet se janë inkorporuar edhe komentet e shoqërisë civile dhe të palëve të tjera të interesit të cilët gjatë procesit të konsultimit publik, kontribuuan në plotësimin e tij deri në finalizimin e këtij dokumenti.
Nga ana tjetër ky, Udhëzim Administrativ hyn në fuqi shtatë ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare, ku edhe do të hapet mundësia për aplikim për të gjithë fermerët e interesuar që të aplikojmë dhe të përfitojnë nga Programi i Pagesave Direkte për vitin 2021.
Ndryshe, Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci në fund të muajit korrik ka nënshkruar Programin për Pagesa Direkte – Subvencione për vitin 2021, ku përkrahja financiare vetëm për këtë vit kalendarik për fermerët në kategorinë e subvencioneve arrin vlerën e rreth 50 milionë eurove./InLajmi/