Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka bërë të ditur se ka përfunduar prvimi i Maturës Shetërore në afatin e 2-të, përcjell InLajmi.
Këtij testi i janë nënshtruar 6.732 maturantë të cilët nuk kanë arritur që të kalojnë pragun në afatin e parë.
Sipas Ministrisë provimi ka filluar dhe ka mbaruar në kohën e caktuar, gjithashtu është njoftuar se ka pasur disa parregullsi, ku nga Ministria e Arsimit kanë thënë se ata të cilët kanë shkaktuar parregullsi do të ndërmerren masa që i parashihen me Ligjin e Maturës.
Njoftimi i plotë i Ministrisë së Arsimit:
U mbajt afati i dytë i Provimit të Maturës Shetërore
Provimit të Maturës Shtetërore në afatin e dytë, i cili është organizuar sot nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), i janë nënshtruar 6732 maturantë, të cilët nuk e kanë arritur pragun e kalueshmërisë në afatin e parë.
Provimi i organizua në 68 qendra të testimit, ndërsa në këtë proces janë angazhuar 200 komisionerë, 130 mbikëqyrës, 65 vëzhgues, si dhe 650 administrues. Ndërsa, të gjitha Qendrat e testimit janë monitoruar edhe nga Këshilli Rinor Kosovar (KYC).
Sipas informatave të para të Komisioneve, provimi ka filluar dhe ka përfunduar në kohën e caktuar dhe çdo gjë ka shkuar sipas planit dinamik të punës.
Ndërkaq, në ato raste ku janë evidentuar parregullsi do të ndërmerren masa që parashihen me Ligjin e Maturës, si ndaj administruesve, ashtu edhe ndaj nxënësve.
MAShTI falënderon të gjithë të përfshirët në këtë proces për kontributin dhe bashkëpunimin e tyre.
Rezultatet e Provimit të Maturës Shtetërore për afatin e dytë pritet të publikohen më 8 shtator. /InLajmi/