Maqedonia e Veriut të martën ka regjistruar 32 të vdekur me Covid-19, që shënon numrin më të lartë të viktimave në 6-të muajt e fundit të përballjes me pandeminë.
Sipas raportit të Ministrisë së Shëndetësisë, në Shkup janë evidentuar 8 të vdekur, nga 6 në Gostivar dhe Tetovë, 3 në Kumanovë, 2 në Kërçovë dhe nga 1 në 7 qytete tjera.
Numri i përgjithshëm i viktimave me Covid-19 ka arritur në 5.727 persona.
Ndërkohë, sipas raportit të publikuar të martën në mbrëmje, nga testimi i 7.084 mostrave janë diagnostikuar 1.210 persona si të infektuar me koronavirus, shumica prej të cilëve në Shkup, Tetovë, Gostivar, Kumanovë, Kërçovë dhe Strugë.
Sipas të dhënave, numri i rasteve aktive ka shkuar në 11.769 persona.
Qeveria e Maqedonisë së Veriut në mbledhjen që mbajti të martën pasdite miratoi ndryshimet në masat për të parandaluar përhapjen e sëmundjes, të cilat lejojnë organizimin dhe mbajtjen e garave sportive me praninë e publikut, ngjarjet kulturore, punën e restoranteve, kafeneve, bastoreve, koncertet, seminaret, punëtori dhe ngjarje të tjera brenda hapësirave të brendshme me 30% të kapacitetit dhe në hapësira të jashtme deri në 50% , në përputhje me protokollet dhe masat për mbrojtjen nga Covid-19.
Sipas vendimit, në këto ngjarje nuk do të mund të marr pjesë asnjë qytetar pa certifikatë për vaksinimin me të paktën dozën e parë ose certifikatës për kalimin e sëmundjes jo më të vjetër se 45 ditë nga dita e shërimit.
Mbeten në fuqi ndalimi i mbajtjes së dasmave dhe festimeve të tjera private në pjesët e mbyllura të objekteve të hotelerisë, përcjell REL.
Sipas vendimit të Qeverisë, nga 1 shtatori 2021, shtetasit maqedonasë dhe të huaj do të lejohen të hyjnë në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut vetëm nëse kanë certifikatë vaksinimi, nëse kanë vërtetim se kanë kaluar sëmundjen apo nëse kanë vërtetim për testin PCR- jo më të vjetër se 72 orë.




















