Teksa talibanët negociojnë me zyrtarë të lartë dhe liderë qeveritarë, pas pushtimit të Afganistanit, kompanitë amerikane të rrjeteve sociale janë duke analizuar si do t’i trajtojnë militantët e këtij grupi që pritet të udhëheqë shtetin me rreth 40 milionë banorë.
A duhet të kenë qasje talibanët në platformat sociale nëse nuk shkelin ndonjë rregull, siç është ndalesa për nxitje të dhunës, mirëpo në anën tjetër i shfrytëzojnë këto hapësira për të përhapur narrativën se janë reformuar dhe janë duke shpërndarë sapun e ilaçe nëpër rrugë?
Nëse talibanët udhëheqin Afganistanin, duhet të kenë edhe llogari zyrtare qeveritare?
Ekzistojnë edhe pyetje nëse kompanitë teknologjike mund të vendosin se çfarë është apo nuk është qeveri legjitime?
Ato me siguri nuk duan të merren me diçka të tillë, mirëpo teksa situata ndryshon, vendime jo të lehta shtrohen në të ardhmen e afërt.
A kanë talibanët llogari në rrjetet sociale?
Talibanët kanë fituar pushtetin shpejt në Afganistan, 2 javë para datës kur forcat amerikane duhet të përfundonin misionin e tyre gati 2 dekada të gjatë.
Kryengritësit kanë fituar kontrollin e shumicës së qyteteve kryesore brenda disa ditëve, ndërkohë që forcat afgane të sigurisë, të pajisura nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët, e saj, nuk kanë bërë rezistencë.
Herën e fundit kur talibanët kanë qenë në pushtet në Afganistan, Facebook, Twitter dhe YouTube nuk kanë ekzistuar. As MySpace. Përdorimi i internetit ka qenë virtualisht joekzistent me vetëm 0.01% të popullsisë online, sipas Bankës Botërore.
Në kohën e fundit, ky numër është rritur. Talibanët janë duke rritur prezencën e tyre po ashtu, duke prodhuar materiale dhe duke mirëmbajtur llogari zyrtare.
Pavarësisht ndalesave, ata kanë gjetur mënyra për t’iu ikur kufizimeve në YouTube, Facebook dhe WhatsApp. Shembull, vitin e kaluar ata kanë përdorur grupet në WhatsApp për të shpërndarë fotografi të zyrtarëve shëndetësorë, me maska dhe veshje mbrojtëse duke u dhënë sapunë banorëve lokalë.
Në Twitter, zëdhënësi i talibanëve, Zabihullah Mujahid, ka postuar vazhdimisht për më shumë se 300.000 ndjekës, duke përfshirë mediat ndërkombëtare.
Twitter ka pezulluar një tjetër llogari me emër @AfghPresident, e cila ka shërbyer si llogari zyrtare e presidentit de fakto.
“Kjo lë të kuptohet se fitorja e luftës është në funksion të mjeteve joushtarake siç janë mediat sociale, aq sa edhe janë plumbat”, ka thënë Sarah Kreps, profesoreshë e drejtësisë në Universitetin Cornell, e cila është e fokusuar në politikat ndërkombëtare, teknologjinë dhe sigurinë kombëtare.
“Ndoshta këto grupe, edhe nga perspektiva instrumentale kanë kuptuar se prerja e kokave të njerëzve nuk është mënyra e duhur për të fituar zemrat e mendjen e kombit”, transmeton REL.
Facebook dhe YouTube i konsiderojnë talibanët si organizatë terroriste dhe ua kanë ndaluar qasjen. Tëitter nuk e ka bllokuar grupin, ndonëse kjo kompani ka thënë të martën se do të vazhdojë të zbatojë rregullat që ka në fuqi, sidomos ato që ndalojnë “madhërimin e dhunës, manipulimet dhe mashtrimet”.