Provokim e ka quajtur deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Fitim Uka, nisjen e ndërtimit të objektit të përhershëm të të ashtuquajturit “Universiteti i Prishtinës me seli të përkohshme në Mitrovicë”.
Uka, i cili është edhe anëtar i Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport, i pyetur për këtë çështje, në një deklarim për Gazetën “Enigma”, ka thënë se së shpejti Qeveria e Kosovës do t’i kundërpërgjigjet këtij provokimi të radhës nga ana e Serbisë.
“Ky është një provokim tjetër i radhës që vjen prej Qeverisë, dhe ditëve në vijim do ta merr edhe përgjigjen prej Qeverisë së Kosovës”, ka thënë deputeti Uka.
Ndërkohë të premten më 20 gusht, nisi në veri të Mitrovicës, investimi në mbi 6 milionë euro, i cili po bëhet nga Qeveria e Serbisë përmes Zyrës për Kosovën, që funksionon në kuadër të saj.




















