Ministria e Mbrojtjes së Shqipërisë ka bërë një përmbledhje për situatën e zjarreve në vend, përcjell InLajmi.
Në natën e mbrëmshme, ministria ka publikuar një njoftim për vatrat e zjarreve në vend. Nga ky njoftim bëhet e ditur se janë ende 7 vatra aktive ku te disa prej tyre tregohet një situatë problematike.
Poashtu, thuhet se një vatër zjarri është aktivizuar edhe në luginën e Valbonës, ndërsa në vendin e quajtur Dragobi është bërë e ditur për disa vatra të reja.
Ministria njofton se forcat zjarrfikëse janë vazhdimisht duke punuar, por terreni është i vështirë gjë që po ndikon në vonimin e shuarjes së zjarreve.
Njoftimi i plotë i Ministrisë së Mbrojtjes:
Vatrat aktive ditën e sotme 10 gusht, ora 23.00
1) Qarku Vlorë. Vatra e zjarrit, në gadishullin e Karaburunit dhe fshatin Dukat, njësia administrative Orikum, vijon akoma. Forcat vazhdojnë punën intensivisht. Situata është ende problematika në disa zona. Llogaraja nuk rrezikohet dhe as fshati Dukat. Nesër do të fillojnë punën forcat dhe dy mjete nga ajri.
2) Qarku Lezhë. Bashkia Mirditë, në fshatin Thirrë, njësia administrative Fan. Në këtë zone ditën e sotme u përqendruan të gjitha forcat tokësore dhe nga ajri. Pjesa nga ana e tunelit është e normalizuar. Vijon monitorimi nga forcat gjatë natës. Nuk paraqet rrezik për banesa dhe tunelin.
3) Qarku Lezhë. Gjate punës ditën e sotme vatrat e zjarrit në fshatin Munellë dhe Domgjon është bërë e mundur izolimi në pjesën nga ana e Domgjonit. Momentalisht vatra e zjarrit ka një shtrirje të madhe në terren të thyer dhe është i vështirë izolimi në tërësi i saj. Gjatë natës po monitorohet. Nuk ka akoma rrezik banesash.
4) Qarku Lezhë. Bashkia Lezhë, në fshatin Patalej, njësia administrative Kolsh, ditën e sotme forcat në terren punuan për të izoluar një pjesë që ka drejtim në rrugët e fshatrave. Gjatë natës po monitorohet. Situata mbetet problematike. Nuk ka akoma rrezik banesash.
5) Qarku Kukës. Vatra e zjarrit në Majën e Rrunës, njësia administrative Malzi, Nga puna e kryer ditën e sotme si nga toka ashtu edhe nga ajri, situata vijon të mbetet problematike në disa anë. Forcat e Armatosura të Shqipërisë kanë mundësuar izolimin e vatrës tek zona Qafa e Kumbullës, FA të Kosovës ka punuar nga ana e Lakut të Mollës, e cila vijon të jetë aktive me intensitet të lartë që është në kufi me Pukën. Edhe ana nga Laku i Qershive vijon të mbetet problematike. Terreni ndërlikon punën e forcave nga toka si pasojë e pjerrësisë dhe zonës shkëmbore. Nuk ka akoma rrezik banesash. Vijon monitorimi i forcave gjate natës.
6) Qarku Korçë, bashkia Pogradec, njësia administrative Velca, në Guri i Nikës (zonë e mbrojtur) për shkak të erës së fortë u riaktivizua sërish zjarri i mëparshëm. Situata është e vështirë për ta përballuar pasi dhe largësia është shume e madhe për të shkuar në vend. Situata monitorohet gjate natës. Rrezik për banesa nuk ka.
7) Qarku Durrës. Vatër aktive në Fushë – Krujë në një depo që digjen goma të përdorura. Zjarri është vënë nën kontroll dhe është drejt shuarjes.
8) Qarku Berat, bashkia Skrapar riaktivizimi i vatrës sipërfaqen me shkurre, në Malin e Tomorrit, në zonën shkëmbore mbi Teqenë e Kulmakut, fshati Ujanik, po mbahet në monitorim, për të eliminuar rindezjet nga era dhe trungjet e ndezur.
9) Qarku Berat, bashkia Skrapar, në fshatin Therepel, njësia administrative Vendreshe. Situata doli jashtë kontrollit të forcave në terren, duke rrezikuar një zonë të banuar rreth 250 – 300 metra largësi. Menjëherë forcat kanë siguruar banorët dhe më pas kanë bërë të mundur vënien nën kontroll të situatës. Po monitorohet gjate natës.
10) Qarku Tiranë, bashkia Vorë, në fshatin Kuç, ka rënë një zjarr në një vend me shkurre ferra dhe mbeturina. Sipas informacioneve të para zjarri u raportua me përmasa të konsiderueshme, rrezikonte të futej në pyje. Forcat në terren bënë të mundur vënien nën kontroll. Situata po monitorohet. S’ka rrezik për banesa.
11) Qarku Kukës, lugina e Valbonës, Tropojë në vendin e quajtur Dragobi, janë raportuar disa vatra zjarri në vende të ndryshme në të njëjtën kohë. Forcat janë duke punuar por si pasoje e terrenit është shumë e vështirë. Dyshohet zjarrvënie e qëllimshme. Po monitorohet gjate natës./InLajmi/