Në mëngjesin e ditë së hënë, situata në Aeroportin e Prishtinës “Adem Jashari”, ishte më e qetë krahasuar me ditët tjera, ku edhe pati incidente si pasojë e fluksit të madh të qytetarëve.
Zëdhënësja e Aeroportit, Valentina Gara, tha se arsyeja e turmave është fluksi i madh i mërgimtarëve dhe kërkesat e shteteve tjera që të jenë në aeroport 3 orë më herët në mbrojtje nga pandemia dhe për të dorëzuar dokumentet e kërkuara.
“Nëse krahasojmë këtë vit me vitin 2019 në muajin korrik shohim një rritje të madhe, ndërsa nga muaji janar-korrik kemi kaluar shifrën mbi 1 milion udhëtarë”.
“Nga java e parë e gushtit kemi procesuar mbi 104.000 udhëtarë dhe diku 660 fluturime ardhje-vajtje, kemi një valë më të madhe, sepse rekreacionet ku ata jetojnë kanë kërkuar të vinë 3 orë më herët për shkak të dokumenteve të kërkuara”, tha Gara për EO.
Mërgimtari nga Gjermania, Dardan Sahitaj, i cili me familje ka ardhur për pushime tek vendlindja e tij, në qytetin e Rahovecit, tha se në Kosovë ka qëndruar për 3 javë dhe si në ardhje ashtu edhe tash duke shkuar nuk ka hasur ndonjë problem të madh, vetëm vonesa të vogla.
“Kemi pasë 3 javë pushime e kemi kaluar mirë, kam dëgjua se janë ankua mërgimtarët për pritje”.
Qytetari tjetër nga Prizreni, Ismet Hoxha, i cili jeton në Zvicër sapo kishte arritur në Aeroport dhe tha se nuk ka hasur në ndonjë problem.