Nënshkrimi i Avdullah Hotit më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë konfirmonte se Kosova i pranon të 16 pikat e marrëveshjes, përfshirë të pestën, mini-shengenin ku Kosova do të bëhej pjesë për një arsye.
“Sa i përket mini-shengenit ne besojmë se destinacioni ynë është integrimi në BE dhe liberalizimi i vizave, na është kërku drejt nga Trump që të bëhemi pjesë e kësaj lëvizje regjionale të sigurojmë liri të lëvizjes dhe kemi pranu” pati deklaruar Hoti më 4 shtator.
Por liria e lëvizjes nuk është arsye e mjaftueshme për LDK-në edhe tashti.

Sipas Faton Bislimit, ish deputet nga radhës e Lidhjes Demokratike të Kosovës, do të ishte e pakuptimtë të hiqeshin kufijtë me një shtet që nuk e njeh Kosovën.
Bislimi në një intervistë për Klanin tregoi se pse subjekti që qeverisi me vendin kur u arrit kjo ujdi, nuk është më pro e nismës rajonale të Serbisë, Shqipërisë e Maqedonisë së Veriut që mori emrin ‘Ballkan i Hapur’. Sipas tij Kosova ka pranuar t’i bashkohet ish minishengenit ballkanik, për t’i gëzuar benefitet, siç thotë pjesa e 2-të e pikës së 5-të.
“Në rrethanat dhe kohën që është bërë është më e mira që ka mund të bëhet po kjo nuk do të thotë që ne jemi peng në kuptimin politik të fjalës, ne jemi të gatshëm t’i zbatojmë ato por për arsyet për të cilat janë arritur.”
Por çfarë ndryshoi për 11 muaj?
“Ajo që ka ndryshu nga shtatori 2020 dhe së shpejti shtatorit 2021 është se kemi një evaluuim të procesit të quajtur minishengen ku ne nuk kemi pasur mundësi të jemi palë e barabartë në atë proces, por edhe kemi një ndryshim administrate”, thotë Bislimi ndër të tjera.
Administrata Biden megjithatë rikonfirmoi ekskluzivisht para pak jave për Klanin se marrëveshja detyrimisht duhet përmbushur. Por a ka mundësi që SHBA-ja ta sanksionojë Kosovën në rast të mosrespektimit të ndonjë pike?
“Tek sanksionet ajo është çështje ekskluzivisht e SHBA-së, unë nuk e shoh e as nuk do doja ta mendoja një situatë e cila do të krijonte një qarje aq të madhe mes Kosovës dhe SHBA-së që na sjellë në një situatë kur do të kishim çfarëdo lloj sanksioni nga miqtë tanë më të mëdhenj.”
Qeveria aktuale në krye me Albin Kurtin, vazhdimisht këmbëngulë se nuk e përkrahë ujdinë e Shtëpisë së Bardhë si tërësi. Kësisoj krahas partive politike opozitare, ekzekutivi e konfirmoi këtë qëndrim duke mos marrë pjesë as në takimin e fundit Rama-Vuçiq-Zaev më 29 korrik.





















