Në Forumin e Prespës, ku është pjesëmarrës edhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë fjalimit të tij, ka shprehur zhgënjimin ndaj Bashkimit Evropian për mosliberalizimin e vizave për Kosovën, raporton InLajmi.
Kurti përveç çështjes së vizave, ka shprehur zhgënjim edhe për moshapjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.
Kryeministri i Kosovës rikujtoi se, Ballkani Perëndimor është pjesë e Evropës, duke thënë se proceset e BE-së janë të ngadalta dhe duke vënë theksin tek mungesa e unitetit.
“Republika e Kosovës e ndan zhgënjimin me vendimin e BE-së për mos hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe me Maqedoninë e Veriut. Si vend që na është mohuar liberalizimin i vizave e kuptojmë zhgënjimin tuaj. BE-ja është e ngadaltë, i mungon uniteti, por megjithatë është shpresa jonë më e mirë dhe alternativa e vetme që e kemi. Ne i takojmë këtij rajoni. Ballkani Perëndimor është pjesë e Evropës dhe jemi shtete fqinje të shteteve të BE-së”.
Kryeministri i vendit, shtoi se të gjitha shtetet e rajonit duhet t’i kryejnë detyrat e shtëpisë, për t’u integruar në BE, duke i vënë përgjegjësi edhe vetë BE-së.
“Një pjesë e madhe e përgjegjësisë qëndron tek BE, por edhe ne duhet që t’i kryejmë detyrat e shtëpisë. Edhe ideja e Novi Sadit për ‘Mini Schengenin’, një iniciativë që nuk ka vizion për rajonin, dhe që Republika e Kosovës e kundërshton ashpër,. Pakënaqësia me BE-në nuk duhet të instrumentalizohet nga vendet që nuk e duan NATO-në dhe që e favorizojnë Rusinë”, ka thënë Kurti./InLajmi/