Të jesh një adoleshent -do të thotë të luftosh me identitetin dhe imazhin personal. Të pranohesh nga miqtë është diçka shumë e rëndësishme për ta dhe pjesa më e madhe e tyre, në fshehtësi të plotë mund të jetë duke luftuar me presionin që dashur pa dashuri mjedisi social krijon.
Adoleshentët për të parën herë mund të ndiejnë një ndjesi shkëputjeje nga prindërit dhe familja. Mund të ndjesh se dëshiron të rrish vetëm dhe të marrësh vendime për veten tënde, gjë që është edhe e mërzitshme dhe të bën të ndihesh i vetmuar. Sa argëtuese dhe eksituese është kjo periudhë, aq edhe konfuze dhe konfliktuale mund të bëhet. Jo rrallë, kjo periudhë tranzitore bëhet shkak për depresionin tek të rinjtë.
Po si ta kuptosh që është më shumë sesa thjesht një humor i keq dhe se ke nevojë për ndihmë?
Kur është më shumë sesa humor
Të ndihesh i irrituar ose pa humor mund të jetë shenjë depresioni. Të tilla janë dhe ndjenjat e mërzisë ose kur ndihesh i pashpresë. Shumë njerëz mendojnë se depresioni është të ndihesh keq, por depresioni mund të sjellë edhe ndjenja të tjera si padurimi, inati ose edhe thjesht indiferenca.
Ç’mund të bësh për ta kaluar këtë gjëndje?
- Të kuptosh se nuk je vetëm.
Çdo adoleshent përjeton luhatje të emocioneve në këtë gjendje. Janë të zakonshme.
- Merr frymë thellë.
Numëro deri në 10 ose bëj diçka që të të qetësojë për disa momente, sidomos kur ndihesh i irrituar.
- Fol me njerëz që u beson.
Miqtë mund të ndihmojnë njëri-tjetrin duke kuptuar se nuk janë të vetëm dhe të ndajnë eksperiencat me njëri-tjetrin. Të flasësh me prindërit është gjithashtu shumë e rëndësishme. Prindërit ndajnë ndjenjat e tyre me ju gjithashtu. Ata do ta vlerësonin nëse do t’u tregoje se çfarë ndiejnë vend që të përplasje derën.
- Bëj ushtrime.
Të ushtrohesh rregullisht bën që të prodhohet më shumë beta-endorfinë, një hormon që kontrollon stresin dhe përmirëson humorin. Shko për vrap, luaj tenis, bëj xhiro me biçikletë ose qëllo një thes boksi.
- Fli mjaftueshëm.
Edhe pse është e vështirë të gjesh kohën, të pushosh është shumë e rëndësishme. Të jesh i lodhur e shton mërzitjet dhe irritimin.
- Krijo.
Përfshihu në ndonjë projekt si të nisësh një gazetë, një ditar, të krijosh diçka me dru, të bësh muzikë. Të shkruash të ndihmon të shprehësh ndjenjat dhe mendimet. Mos u shqetëso për gramatikën dhe shenjat e pikësimit, e rëndësishme është të hedhësh ndjenjat në letër.
- Qaj.
S’ka asgjë të keqe që të qash, në fakt shpesh e bën një njeri të ndihet më mirë. Sido të ndihesh, i mërzitur, pa shpresë, mund të shkosh dhe të kërkosh ndihmë te një këshillues. Mund të qash nëse të qahet, por kjo nuk është zgjidhja.
- Prit.
Kur të duket se ndihesh keq pa arsye, mos harro se kjo do të kalojë. Nëse humori yt negativ zgjat dhe ndërhyn në jetën tënde me prindërit, miqtë dhe shkollën, atëherë është mirë të konsultosh një psikolog, një prind, një mësues dhe mund të ndihesh më mirë.
Ç’duhet të dish nëse po përjeton një periudhë të tillë?
Kujtoji vetes se depresioni është shumë i zakonshëm dhe mund të prekë mesatarisht 1 në 8 adoleshentë. Depresioni prek njerëz të çdo ngjyre, race, statusi ekonomik, moshe, gjinie. Disa njerëz nuk e kuptojnë depresionin. Për shembull, ata mund të reagojnë keq ndaj një personi që është duke kaluar depresion, duke bërtitur ose duke e kritikuar, duke mos u përpjekur që ta kuptojnë. Disa, në mënyrë të gabuar, besojnë se depresioni është një sjellje që mund të kalojë shpejt. Por nuk është kaq e lehtë.
Ndonjëherë edhe njerëzit që janë në depresion nuk e marrin gjendjen e tyre seriozisht. Disa ndiejnë se janë të dobët në një mënyrë sepse janë në depresion. Kjo është e gabuar dhe mund të dëmtojë njerëzit që fshihen dhe nuk kërkojnë ndihmë.
Shpesh depresioni ka dhe simptoma fizike (si dhimbje koke ose probleme të tjera të lidhura me stresin), në këtë rast nevojitet vizita te mjeku. Një herë në disa kohë edhe një mjek i mirë mund të mos kuptojë nëse dikush është duke kaluar depresion dhe thjesht të kurojë simptomat fizike, shkruar nga Anabel.
Nevoja për ndihmë:
Depresioni është një nga problemet emocionale më të zakonshme në botë. Lajmi i mirë është se është gjithashtu i trajtueshëm dhe terapistët dhe psikologët mund të ndihmojnë shumë për këtë. 80% e njerëzve që kanë vuajtur nga depresioni dhe janë kuruar tani jetojnë një jetë më të mirë. Ata ndihen mirë me veten dhe nuk e shohin veten si më parë. Trajtimi i depresionit përfshin terapinë, mjekimin ose kombinimin e të dyjave. Njerëzit që vuajnë nga depresioni nuk duhet të presin dhe të shpresojnë që kjo ndjenjë do të largohet vetë sepse ai mund të kurohet në mënyrë shumë efektive. Kërkojuni ndihmë prindërve, të rriturve, një mësuesi ose miqve të ngushtë.