Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në takimin e mbajtur në Paris ka potencuar se pavarësia, integriteti territorial dhe sovraniteti nuk janë çështje që do të negociohen me palën serbe në dialog, përcjell InLajmi.
“Pavarësia e Kosovës, integriteti territorial dhe sovraniteti nuk do të negociohen. Me Serbinë mund të diskutojmë për statusin e marrëdhënieve tona e jo për statusin e Kosovës. Vendimi i GJND-së ka hequr çdo dilemë për ligjshmërinë e Pavarësisë së Kosovës”, ka deklaruar Kurti.
Në vizitën e tij në Paris, Kryeministri ka kërkuar edhe një herë liberalizimin e vizave për Kosovën, duke thënë se janë plotësuar të gjitha kriteret dhe zgjatja e mëtejshme nuk është e drejtë.
“Sigurisht që qytetarët e Republikës së Kosovës janë të interesuar për liberalizimin e vizave dhe është e padrejtë që Kosova pas plotësimit të të gjitha kritereve, 95 sosh, ende nuk e ka të hequr regjimin e vizave. Më 18 korrik bëhen tri vjet prej se Komisioni Evropian ka thënë se Kosovës duhet t’i hiqet regjimi i vizave. Në vizitën tonë kjo temë është trajtuar. Unë jam i bindur që ata e kanë marrë mesazhin tonë, por s’ka zotim nga ana e tyre që do të ketë heqje të regjimit të vizave”, është shprehur Kryeministri Kurti, në një konferencë për media./InLajmi/


















