Izraeli njoftoi të mërkurën se do të shtyjë lehtësimin e hyrjes së turistëve individualë për shkak të shqetësimeve për përhapjen e variantit Delta të koronavirusit. Ky vend paralajmëroi se mund të ndërmarrë edhe masa tjera për të parandaluar përhapjen e këtij varianti.
“Për shkak të shqetësimit në lidhje me përhapjen e mundshme të variantit Delta, qeveria ka shtyrë hyrjen e turistëve individualë deri më 1 gusht”, tha Ministria e Turizmit e Izraelit.
Kryeministri i Izraelit, Naftali Bennett, tha të mërkurën se nëse çdo ditë, për një javë regjistrohen më shumë se 100 raste të reja me koronavirus, atëherë do të rivendoset mbajtja e maskave në ambiente të mbyllura.
Paralajmërimi i tij erdhi pasi Izraeli regjistroi mbi 100 raste të reja për të tretën ditë radhazi, përcjell REL.
Bennett gjithashtu tha se do të rritet numri i testimeve PCR, dhe do të shtohen masat për njerëzit që shkelin karantinën.