Shtetet e Bashkuara e mbështesin sovranitetin e Kosovës dhe nuk do t’ia imponojnë asaj ndonjë zgjidhje në kuadër të marrëveshjes me Serbinë, është qëndrimi që ka lënë të premten në Prishtinë Matthew Palmer, përfaqësues special për Ballkanin Perëndimor i sekretarit amerikan të Shtetit.
Ai ka thënë se zgjidhja duhet të burojë nga negociatat që duhet të rinisin pa vonesë mes të dyja vendeve.
Palmer, i cili është edhe zëvendësndihmës i sekretarit amerikan të Shtetit, ka vizituar Kosovën, në kuadër të përpjekjeve të tij për ta debllokuar procesin e dialogut, që synohet të finalizohet me marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht obliguese. Kjo, sipas tij, do t’i çlironte potencialet edhe në Kosovë e edhe në Serbi, sikurse edhe do të siguronte përfitime ekonomike e politike për të dyja vendet.
Ajo që ka siguruar është se pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme dhe se, pa e pranuar këtë realitet, Serbia nuk do të mund të llogarisë që të anëtarësohet në Bashkimin Evropian.
Ndërkaq, ka bërë të qartë se në asnjë mënyrë nuk do t’i kërkohet Kosovës që të pranojë diçka që e sheh si të papranueshme, shkruan Koha.net.
“Askund Kosovës nuk i kërkohet që të gëlltisë diçka që nuk e dëshiron apo që nuk është në interesin e saj. Kosova vendos vetë për fatin e saj dhe Kosova vetë do të vendosë se kush flet për të në këtë proces. Ajo vetë do të vendosë se për çka dëshiron të negociojë dhe vetë do t’i vendosë parametrat e angazhimit: duam ta bëjmë këtë, nuk duam ta bëjmë këtë”, ka thënë Palmer gjatë një paraqitje në Prishtinë, para një grupi studentësh dhe pjesëtarësh të shoqërisë civile. “Kosova nuk duhet të hyjë në negociata e papërgatitur. Ajo duhet të vendosë se çfarë qëndrimi do ta marrë para negociatave dhe ne jemi partnere të Kosovës në këtë proces”.