Shtetet e Bashkimit Evropian duhet të përdorin të gjitha opsionet e vaksinave kundër koronavirusit që janë në dispozicion për të luftuar pandeminë, tha të enjten Agjencia Evropiane e Barnave (EMA).
Sipas rregullatorit evropian, ende është shumë herët të thuhet nëse një lloj i veçantë i vaksinës është më i miri. Disa vende kanë kufizuar imunizimin me vaksinat e AstraZeneca-s dhe Johnson&Johnson për shkak të shqetësimeve të lidhura me mpiksjen e gjakut. Ato kryesisht po e zhvillojnë fushatën e imunizimit me vaksinat Pfizer dhe Moderna.
“Akoma jemi në pandemi dhe është shumë e rëndësishme që për luftimin e saj të përdorim gjitha mundësitë që kemi në dispozicion”, tha Marco Cavaleri, shefi i strategjisë së vaksinave të EMA-s, në një konferencë për media.
Eksperti i EMA-s shtoi se është “shumë e vështirë të thuhet” se cili lloj i teknologjisë me të cilën prodhohen vaksinat mund të rezultojë më i suksesshëm në të ardhmen. Sipas tij të gjitha vaksinat ekzistuese “tashmë kanë shpëtuar miliona jetë”.
EMA ka autorizuar për përdorim katër vaksina: Pfizer/BioNTech, Moderna, AstraZeneca dhe J&J. Një nga 4 vaksinat tjera që janë nën shqyrtim nga kjo agjenci është edhe CureVac e Gjermanisë. Në bazë të rezultateve të testimit doli se ajo ishte vetëm 47% efektive, përcjell REL.
Kjo shifër është nën pragun 50% të efikasitetit, por Cavaleri tha se “kjo nuk do të thotë që agjencia nuk do të shqyrtojë tërësinë e provave” përpara se të marrë një vendim. Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) tha se nuk do të vendosë një prag 50% të efikasitetit për vaksinat e koronavirusit që do të miratohen për përdorim.