Dy tërmete sot kanë goditur rajonin e Ballkanit, specifikisht Kosovën e Shqipërinë.
Shteti shqiptar përjetoi goditje më të fuqishme në mëngjesin e hershëm, teksa u shënua tërmet i fuqishëm 4.7 ballë të Rihterit.
Epiqendra e këtij termeti ishte në Korçë.
Pak më vonë, nga tërmeti u godit edhe Kosova, mirëpo fatmirësisht lëkundjet ishin më të vogla.
Sizmologu kosovar, Shemsi Mustafa tregon se epiqendra e lëkundjes ishte 11 kilometra në veri-perëndim të Dragashit.
Ai për lajmi.net tregon edhe nëse Kosova pritet të goditet nga tërmete tjera.
“Një tërmet zakonisht përcillet me disa pasgoditje mirëpo rreziqe nuk ka, kështu që nuk ka vend për panik dhe për shqetësime. Tërmeti ka ndodhur 11 kilometra në veri-perëndim të Dragashit, diku në bjeshkë në kufi me Shqipëri, deri më tani nuk kemi detaje nga rajoni se ka ndonjë dëm material, sepse është e intensitetit shumë të ulët”, thotë ai.
Mustafa thotë tutje se tërmetet që janë nën shkallën 3.5 nuk lajmërohen, sepse mund të shkaktojnë panik dhe shqetësim tek qytetarët, shkruan lajmi.net.
Ndryshe, tërmeti që goditi sot Kosovën, besohet të jetë diku rreth 3.1 ballë të Rihterit.
Ndërkaq, para disa kohësh nga tërmete të fuqishme ishte goditur Shqipëria, gjë që kishte shkaktuar dëme të mëdha materiale dhe disa të lënduar.