Ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj tha që pas rishikimit të buxhetit akual kemi arritur shumën prej 5.2 milionë euro nga shpenzimet e panevojshme të mëhershme, përcjell InLajmi.
Ministri Mehaj tha që me këto 5.2 milionë euro në koordinim të ngushtë me partnerët tanë amerikan do ti realizoj disa blerje ushtarake me qëllim të rritjes së aftësive dhe kapaciteteve ushtarake të FSK-së.
“Si Ministër i Mbrojtjes, jam i vendosur që prioritetet e Qeverisë, qëllimet strategjike dhe objektivat e mi operacional t’i realizoj deri në fund” ka deklaruar Mehaj.
Postimi i plotë i tij:
Të dashur qytetarë,
Pas analizës dhe vlerësimit të detajuar të planit të prokurimit për vitin 2021, në proces të rishikimit të buxhetit aktual, kemi arritur që shumën prej 5.2 milionë euro nga planifikimet e mëhershme të shpenzimeve të panevojshme, ta ri-destinojmë në projektet e Programit Amerikan të Shitjeve të Jashtme Ushtarake (The Foreign Military Sales- FMS) me qëllim të rritjes së aftësive dhe kapaciteteve ushtarake të FSK-së. Pra, blerjet tona ushtarake do të realizohen në bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë me partnerët tanë amerikan dhe aleatët tjerë.
Si Ministër i Mbrojtjes, jam i vendosur që prioritetet e Qeverisë, qëllimet strategjike dhe objektivat e mi operacional t’i realizoj deri në fund, mbi parimin e ndalimit të shpenzimeve të panevojshme, transparencës, llogaridhënies dhe përkushtimit maksimal për forcimin e Ushtrisë së Kosovës për përmbushjen e plotë të misionit të saj kryesor – mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit dhe pjesëmarrjes në operacionet ndërkombëtare përkrahë forcave amerikane dhe aleatëve tjerë, si rrugë drejtë anëtarësimit të vendit në NATO. /InLajmi/