Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka mbajtur të hënën një mbledhje dhe ka diskutuar për situatën aktuale në vend, përcjell InLajmi.
Pas rastit të arrestimit dhe dhunës së ushtruar ndaj Faik Fazliut, Kryesia e Organizatës i është drejtuar opinionit publik, duke thënë se institucionet e vendit kanë dalë jashtë vlerave kombëtare. Përveç rastit të Fazliut, në njoftimin e OVL-së thuhet se është vënë re një tendencë për akuza ndaj krerëve të UÇK-së dhe prandaj bëhet thirrje për protestë.
Sipas Kryesisë, aktiviteti protestues do të organizohet më datë 12 Qershor dhe pritet të lajmërojnë për vendin dhe kohën.
Komunikata e plotë e OVL-UÇK-së:
Kryesia e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, në mbledhjen e mbajtur sot më 7 qershor 2021, diskutoj për situatën aktuale në Kosovë dhe del me këto qëndrime me të cilat i drejtohet opinionit publik:
Të gjithë e kemi të ditur se Institucionet e Kosovës kanë dalë hapur jashtë vlerave kombëtare;
Kohë më parë, vërehet tendencë e akuzave ndaj krerëve të UÇK-së, që nga Kryeministri Kurti, Ministrja e Jashtme Gërvalla-Schwarz, e tani Ministri i Brendshëm Sfeçla;
Rasti i arrestimit dhe dhunës së ushtruar ndaj Faik Fazliut, nuk duhet të trajtohet vetëm nga OVL e UÇK-së, por edhe nga partitë, e si çështje t’i mbetet organeve të drejtësisë dhe ne e respektojmë çdo vendim të tyre;
Me datën 12 Qershor 2021 do të ketë aktivitet protestues, për kohën dhe vendin do të njoftoheni./InLajmi/