Kryetari i komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati ka reaguar pas situatës në fshatin Shipashnicë e Poshtme ku ka pasur përplasje të zyrtarëve komunal me banorët, përcjell InLajmi.
Sipas kryetarit të Kamenicës nga komuna kanë bërë furnizimin me paisje dhe inventarin për çerdhen e këtij fshati mirëpo kjo gjë është ndaluar nga banorë.
Ndër të tjera Kastrati ka shkruajtur se është për të ardhur keq se si një prind e dëgjon një manipulues sesa zemrën e tij për fëmijën e vet.
Ndër të tjera ai ka shkruar se ministrja e Arsimit Arbërie Nagavci është duke i hedhur benzin në zjarr.
Postimi i plotë i tij:
Në Kamenicë vetëm 3.99% e fëmijëve shkojnë në kopsht. 96% të tjerë apo rreth 1400 fëmijë qëndrojnë në shtëpi. Edhe pse edukimi parashkollor është kusht i domosdoshëm për zhvillimin e secilit fëmijë, në Kamenicë jo të gjithë e kanë këtë mundësi.
Ashtu siç e kemi stërthënë, objektet e shkollave të fuzionuara do të përdoren për qëllimet më të mira për komunitetin. Dhe kështu, ne sot dërguam pajisjet dhe inventarin për çerdhen e Shipashnicës së Poshtme e cila do t’u shërbente fshatrave përreth.
Është paraparë që të punësohen rreth 12 punëtorë dhe që dy vitet e para të jenë pa pagesë për fëmijët.
Është vërtetë për keqardhje deri në ç’masë është duke u manipuluar komuniteti nga disa të badihavaxhinj. Nuk do ta besoja kurrë që në shekullin XXI një prind më përpara e dëgjon një manipulues sesa zemrën e tij për fëmijën e vet. Për më shumë, Ministrja Nagavci me çasjen e saj po hedhë benzin në zjarr. Kjo është e turpshme dhe e pafalshme.
P.S. Sipas neuroshkencëtarëve, truri i fëmijës deri në moshën 2 vjeç ka periudhën më intensive të zhvillimit, pas kësaj moshe proceset fillojnë dhe reduktohen. Prandaj, është e rëndësishme që fëmija të rritet në një ambient të pasur me informacion dhe veprime nxitëse, me bashkëmoshatarë dhe edukatorë profesional. /InLajmi/




















